Avokati Syla rrëfen emocionet pas vendimit për rastin e Liridona Ademajt: Dioni dhe Diari kishin një dëshirë për nënën e tyre

24 nëntor 2026 | 11:22

Avokati Leutrim Syla ka reaguar pas konfirmimit të vendimit në shkallë të dytë për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, duke ndarë edhe një rrëfim emocionues për fëmijët e saj, Dionin dhe Diarin.

Syla ka treguar se gjatë procesit gjyqësor, fëmijët kishin kërkuar që një rrobë me emrat e tyre t’i dërgohej te varri i nënës, ndërsa fotografitë nga ky moment u ishin dërguar atyre.

Ai ka rrëfyer edhe takimin me Dionin, pas vendimit të shkallës së parë, duke treguar se ishte emocionuar kur fëmija e kishte falënderuar për angazhimin e tij si avokat i nënës dhe i tyre.

Syla ka falënderuar gjyqtarët, prokurorinë, hetuesit policorë, ekspertët, mediat dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë proces, duke theksuar se lufta për drejtësi duhet të vazhdojë.

Postimi i plotë në “Facebook”:

Emocion i papërballueshëm, qoftë edhe për një avokat që duhet të qëndrojë i ftohtë për hir të profesionit.

Retro: Gjatë procesit gjyqësor, na erdhi një mesazh nga fëmijët e Liridonës, Dioni e Diari, se duan që këtë rrobë të tyrën me emrat e tyre në të t’ia dërgojnë te varri të ëmës. Procesi veçse kishte filluar e udhëtimi i tyre për në Kosovë dukej vite drite larg në horizontin e dëshirës së tyre. Sidoqoftë, rroba u dërgua tek varri, dhe fotografitë ngushëlluese ju dërguan dy ëngjujve të Liridones.

U kaplova nga emocionet dhe merzia e tyre që mu transmetua me apo pa dëshirën time. Duhej vendimi i plotëfuqishëm gjyqësor që të hapte rrugën e besimit të tyre familjes së Liridonës.

Më kaploi një ndjenjë përgjegjësie e barre që të thyen krahë e kocka, të dërrmon shpirtin e të struk në pafuqi si një grimcë dheu para uraganit.

Sidoqoftë, asnjëherë nuk humba shpresën që nuk isha vetëm. Shpresova në Gjyqësor, e Prokurori, sepse Policia veçse e kishin kaluar testin e tyre që më kohë (kishin zbuluar rastin në afat rekord e kishin mbledhur provat e mjaftueshme për t’u ngritur aktakuzë e për t’u dënuar të gjithë të dyshuarit).

Secila seancë sa sqaronte situatën, aq shtonte presionin për atë që prisnin nga ne Dioni e Diari. Vendimi në shkallë të parë u dha.

Në një ambient të përshtatshëm pata mundësinë ta takoj Dionin. “Faleminderit” më tha, duke më njohur si avokat të së ëmës e të tyrin për çështjet në Suedi. U kaplova nga lotët, por u kurseva nga sytë e tij. Nuk kisha mundësi të bëja më shumë sesa ta përqafoja fort e t’i përkëdhelja kokën e ëmbël, që do të doja shumë të ndërrohesha në atë moment me atë që nuk është në mesin tonë (qoftë edhe vetëm për një çast).

Sot, u vulos verdikti në shkallë të dytë. Shpresoj që shpejt Dioni e Diari do të mund të afrohen edhe fizikisht me Liridonën, e t’i sjellin lulet që i kanë përgatitur shumë kohë më parë.

I falënderoj të gjithë ata Gjyqtarë të guximshëm që dhanë këto dënime, organet e ndjekjes, Prokurorinë e hetuesit policorë, ekspertët e secilin profesionist tjetër për punën e tyre.

Media të dashura, gazetarë e shoqëri civile, ju që për hir të rëndësisë e delikatesës së rastit, hoqët dorë nga rivaliteti me njëra tjetrën, që u kujdesët për rastin më shumë se për lajmin, e ndjej pafuqinë time për të shprehur mirënjohjen që ju takon.

Kolegë avoketër, miq, e dashamirë, e në përgjithësi popull i dashur shqiptar e përtej tij, nuk mund të shpreh mjaftueshëm mirënjohjen për dashurinë dhe mbështetjen e parezervë që kam marrë nga ju.

Ishte vetëm një rast në aspektin procedural penal. Por poashtu tregoi se as një i “ashtuquajtur” këshilltar politik, as një “ushtar i rregullt” e as një i paguar e i premtuar se do të mbrohej nga të fortët, nuk është i paprekshëm nga zbatimi i së drejtës dhe fuqisë së ligjit.

Lufta për drejtësi duhet dhe do të vazhdojë. Kjo kauzë ju bëftë dritë e përjetshme Liridonës, qetësi shpirtërore dy engjëjve e familjes së saj.

Në anën tjetër mësim e ndëshkim kriminelëve që nuk treguan asnjëherë keqardhjen më të vogël gjatë gjithë këtij procesi gjyqësor.

“Drejtësia e shpërblimi nuk janë të lehtë e të lirë për t’u arritur dhe ndëshkimi e dënimi nuk është të pavend e të panevojshëm për t’u dhënë”.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Barcelona po përgatitet të ndahet nga Alejandro Balde gjatë afatit…