Azemi paraqet një kompani amerikane, thotë se do të investojë 800 milionë euro

20 shtator 2022 | 17:17

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka bërë me dije të martën se kompania “American Exploration and Mining LLC” do të investojë 800 milionë euro në Kosovë.

Azemi në një konferencë për medie ka thënë se paga minimale do të jetë 800 euro për 5 mijë punëtorët që pritet t’i punësojë në Kosovë. “Në Kosovë kjo kompani po ofron investim prej 800 milionë eurove. Në këtë projekt në mënyrë direkte parashihen që të jenë të punësuar deri në 5 mijë persona, e që do të thotë se paga e tyre minimale do të jetë 800 euro, pra pesë herë më e lartë prej pagës që e kemi këtu”, ka deklaruar ai.

Azemi ka paralajmëruar se investimi do t’i përfshijë 15 mijë punëtorë indirektë. “Përveç punëtorëve që do të kenë ndikim në mënyrë direkte, kemi deri edhe 15 mijë punëtorë që do të jenë në mënyrë indirekte dhe paga minimale e tyre do të jetë 500 euro”, ka theksuar ai.

Azemi ka treguar se kjo kompani do t’i japë 20 milionë euro për Qeverinë e Kosovës.

“Kjo kompani për Qeverinë e Kosovës ka paraparë që për Ministrinë e Inovacionit t’i japë 1 milion dollarë dhe 1 milion dollarë për Ministrinë e Infrastrukturës, gjegjësisht për rregullimin e trenave. Po ashtu, janë paraparë 20 milionë euro për ta ndihmuar Qeverinë e Kosovës”, ka thënë kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy ndeshje mjaft të rëndësishme, ku nevojiten 6 pikët e…