Babai dhe nëna e Azizit në mëngjesin e përgjakshëm në Paraqin (4)

19 janar 2021 | 12:32

Aziz Kelmendi dhe enigma e vrasjeve pa luftë në kohë robërie 

Shkruan: Lulzim Sahiti

No description available.

Për natën kritike, Azizi nuk u kishte treguar as shokëve shqiptarë për hapin që do të ndërmerrte, me të vetmin qëllim që të mos i implikonte ata sepse ishte plotësisht i vetëdijshëm për pasojat që do të rrjedhin më pastaj. Duke u bazuar gjithnjë në të dhënat zyrtare, atë natë rreth orës 24:00 dhjetari Zoran Gjekiq e kishte ftuar Aziz Kelmendin për ta marrë detyrën e ndihmëskujdestarit në njësinë e Postës Ushtarake 7518 në Paraqin. Gjatë kësaj kohe, Azizi, sa mbante kujdestari, më 3 shtator 1987, kishte dalë në oborr të kazermës dhe shkon deri te dhoma e mësimit, ku afër ishte vend roja numër 1. Atje takon ushtarin Abdylxhemil Alimani, i cili e kishte pyetur: “Çka po kërkon aty në atë kohë?” “Meqenëse jam kujdestar, erdha të marrë diçka për të lexuar, por nuk gjeta asgjë”, kishte thënë Azizi dhe kthehet sërish në kazermë. Atij tashmë i ishte mbushur kupa aq shumë saqë me të hyrë në pavijon, sipas të dhënave zyrtare, ai kishte thyer kasafortën (dollap metalik) e mbyllur me dry dhe dyllë të kuq të vulosur. Kjo arkë metalike gjendej në korridor të pavijonit të njësisë në katin e parë, ku ka siguruar dhjetë plumba 7,62 mm të pushkës gjysmatomatike. Në të njëjtin korridor merr pushkën automatike “Zastava” M70 (D-116689), të cilën e ka mbushur me dhjetë fishekë. Pastaj nga objekti i kazermës është nisur në drejtim të vendit të rojës së kazermës, përkatësisht në çadrën e rojës. Atje, rreth orës 3:00, e zgjon nga gjumi komandantin e rojës, dhjetarin Rizo Alibashiq (boshnjak-mysliman), duke e kërcënuar se do ta mbyste nëse nuk i jep municion. Për ta shpëtuar veten, Alibashiq ia jep dy karikatorë me nga 30 fishekë për pushkë automatike, për të cilën më tepër municion nuk kishte. Mandej duke e kërcënuar me armë në shpinë, ka urdhëruar Alibashiqin që të shkojë në drejtim të kazermës së njësisë së tij. Pasi ka ardhur në ndërtesën dykatëshe të postës ushtarake 5313 dhe 7518, të cilat ishin në një korridor, kanë hipur në katin e parë dhe ka urdhëruar dhjetarin Alibashiq të largohet dhe në orën 03:05 pas mesnatës kishte hapur dyert e dy dhomave nr. 41 e 42 dhe mbi ushtarët jugosllavë ka shtënë gjithsej 26 plumba me pushkë automatike duke vrarë:
1. Safet Dudakoviq nga Orahova e Bosanska Gradishkës (BiH),
2. Srgjan Simiq nga Beogradi (Serbi),
3. Goran Begiq nga Zagrebi (Kroaci) dhe
4. Hasim Gjenanoviq nga Koçiqi i Vitezit (BiH).
Ndërkaq, në këtë aksion u plagosën këta ushtarë:
1. Ante Jazhiq, slloven
2. Petar Gjekiq, kroat nga Vërnezi i Vitisë
3. Andrej Presheren, slloven
4. Huso Kovaçeviq, boshnjak-mysliman
5. Nexhid Mehmedoviq, boshnjak-mysliman. Në rrethana të krijuara ushtari Nazif Axhoviq, shqiptar nga Tuzi i Malit të Zi, nga frika kishte kërcyer nga dritarja prej një lartësie 6-metrash, me ç’rast merr lëndime të lehta trupore.
Në kohën kur janë dëgjuar rafalët, Alibashiq ishte në pistë dhe menjëherë i kishte dhënë rojës alarm. Si në ëndërr, të shtënat i kishte dëgjuar, flamurtar i klasës të parë, Dushan Blagojeviq.

No description available.

Foto: Pamje nga Google Mapse e Kazermës Ushtarake “Branko Krsmanoviq” dhe depove ushtarake në vendin e quajtur “Karadjordjevo Brdo” në Paraqin

Njëherë ai kishte menduar se mos po ushtrojnë ushtarët e rojës. Nuk kishte vonuar shumë kohë dhe shkon ndihmësi i tij, dhjetari Mate Dodik, i cili i kishte treguar se po ngjet diçka e jashtëzakonshme. “Vrapova deri te dera e parë e pavijonit dhe kur e vërejta çka ka ngjarë, u ktheva shpejt dhe me telefon thirra mjekët, organet e punëve të brendshme, eprorët e njësisë etj”, tregon Blagojeviq. Ndërkaq, në orën 3 e 14 minuta të mëngjesit, ushtari Nenad Sarçeviq e thërret në shtëpi me telefon kapitenin e klasës të parë, Dragan Rosiq, të cilin e njofton se “në pavijon ka të lënduar e, ndoshta, edhe të vdekur dhe se sigurisht këtë e ka bërë ushtari Aziz Kelmendi”, epror i të cilit ishte Rosiq. Ky tregon se “kur ka ardhur në kazermë, para çadrës së rojës ka vërejtur të tubuar ushtarët e rojës. Nga ata u nda dhjetari Rizo Alibashiq, udhëheqës i rojës dhe i ka thënë se Azizi me dhunë ia ka marrë municionin”. Mandej, Rosiq “ka shkuar menjëherë në dhomat e fjetjes dhe aty ka vërejtur disa ushtarë gjysmë të veshur, si dhe të plagosurit e të vrarit”.
Dëgjoheshin boritë e ndihmës së shpejtë që vinin nga qyteti. Ishte errësirë, mbretëronte rrëmujë e panik i vërtetë dhe të vërtetën nuk e dinte askush tjetër përpos Azizit, i cili gjatë kësaj kohe shkon në drejtim të depove të municionit, ku atje kalon rrethojën duke shkuar një kilometër nga baza, në vendin e quajtur “Karadjordjevo Brdo” (Kodra e Karagjorgjës). Për të mos rënë në duar të armiqve kishte bërë vetëvrasje duke shkrepur një fishek në arëz të fytit, i cili kishte dalë mbi kokën e tij. Rreth orës 8:00 të mëngjesit nga një çift i moshuar bashkëshortor është gjetur trupi i pajetë i Aziz Kelmendit, i cili menjëherë i njofton organet ushtarake.

No description available.

Foto: Studenti i drejtësisë, Aziz Kelmendi (1967-1987)

Dëshmitarja e rastit, Radmila Petroviq, e përshkruan vendin dhe mënyrën e gjetjes së kufomës të Azizit: “Kam këtu pak tokë dhe një kulm, ku kultivojmë dy dhi dhe shumojmë derra… Mund të ishte rreth gjysmë në shtatë kur unë dhe Milija im me motokultivator quam kashtën për shtazët. Vetëm kur u kthyem, vërejta së pari këpucët, por nuk isha e sigurt nëse po ose jo dhe i thashë burrit: Ndalu! Ku atje kisha edhe çka me pa. Ishte njeriu i shtrirë në shpinë, që ishte ushtar. Me pushkë në mes këmbëve, Zoti na faltë, duart e hedhura, nën kokë pak gjak të ngjizur (mpiksur). Shoh:Djaloshi i vdekur, e mjera nënë që e ka përcjell në ushtri”. Kështu Radmila Petroviq, amvisja nga Paraqini, ka përshkruar kufomën e Aziz Kelmendit pasi që ajo dhe burri i saj, Milija, atëherë punëtor i fabrikës së qelqit, rastësisht e kishin gjetur atë mëngjes të 3 shtatorit 1987, përderisa ndjekja bëhej nga një numër i përzier i policisë ushtarake-civile dhe pa sukses sorollatej më shumë se tri orë.

Koincidencë, babai dhe nëna e Azizit në mëngjesin e përgjakshëm në Paraqin

Ditën kur ndodhi ngjarja e Paraqinit ishte një koincidencë. Babai i Azizit, Sadiku, që punonte në Gjermani, së bashku me gruan e tij, ishin nisur nga qyteti Fulda për ta kryer pushimin vjetor në vendlindje. Ai, prejse ishte ndërtuar autostrada Beograd – Nish, gjithherë kalonte nëpër Paraqin dhe bashkë me bashkëshorten kishin vendosur të ndalen në kazermë për ta vizituar djalin e tyre. Në mëngjes, më 3 shtator 1987, diku para orës 6:00, kishin mbërritur në Paraqin, ku më vonë marrin vesh për ngjarjen tragjike. Pikërisht në orën 6 e 10 minuta kishin ndaluar veturën e kaltër “Pegueot-304”, para dyerve të Kazermës së Paraqinit. Nanë Sala qëndron në veturë, kurse Sadiku lajmërohet për vizitë në hyrje te porta e Kazermës Ushtarake në Paraqin. Nga aty del një ushtar, me të cilin Sadiku komunikon serbisht. Ky ushtar kishte qenë shqiptar (Pajazit Aliu), por nuk kishte guxuar të fliste shqip. Më pastaj, ushtari në fjalë komunikon me eprorët e tij dhe aty kishin ardhur dy oficerë, të cilët e kishin marrë me vete babanë e Azizit e më pas hyjnë brenda rrethojës së kazermës, në një zyrë, ku fillojnë ta marrin në pyetje hollësisht për Azizin dhe rrethin e gjerë familjar. Pas intrvistimit, Sadikun e dërgojnë në një dhomë ku ishin vendosur kufomat e katër ushtarëve të vrarë. E informojnë se këta i kishte vrarë djali i tij Azizi, dhe i thonë se në fund edhe ai kishte bërë vetëvrasje. Më pas e dërguan edhe në vendin ku ishte djali i tij i dashur, me të cilin priste të takoheshin e të çmalleshin si prindër. Ndërkaq, përnjëherë përpara Sadikut do të shfaqet djali i vet, shtrirë dhe i shndërruar në kufomë! E pabesueshme, por e vërtetë.

No description available.
Pas katër orësh pritje, para portës ushtarake e kanë marrë edhe nënën e Azizit për ta intervistuar në një zyrë tjetër, ku për të përkthyer ishte ftuar ushtari Rizah Xhakli. Nënë Sala me një shami në kokë, e rraskapitur nga rruga e gjatë që kishte bërë, intervistohet nga tre oficerë ushtarakë për gjithçka. E pyesin fije për fije se si kanë ardhur nga Gjermania, për jetën e Azizit, kush ka qenë, çka ka bërë, pastaj për djemtë, vajzat, motrat, vëllezërit, për të gjithë ata që ka pasur në shtëpi. Ajo mbahej e fortë, mirëpo nuk dinte asgjë çfarë kishte ndodhur. Rizahu paraprakisht ishte kërcënuar nga oficerët të mos fliste përpos atë çka pyesin ata. Në fund, nënë Sala u thotë: “Ju çka më pyetët mua unë ju tregova. Tashti edhe ju më tregoni për Azizn çka ka ndodh?” Aty nënë Sala e kuptoi se diçka e keqe kishte ndodhur, por oficerët jugosllavë asgjë nuk i tregojnë. “Pas një kohe, prapë më kanë marrë dy ushtarë e një oficer dhe më kanë dërguar në një dhomë tjetër. Aty ishin bashkë oficerët dhe mjekët. Porsa hyra në atë sallë, ua lëshova sytë të gjithëve. Së mbrami më shkuan sytë te Sadiku. Ai ishte ulur skaj tavolinës së madhe, kurse pranë tij ndodhej një karrige e zbrazët. U ula në atë karrige, i thashë: ‘Sadik, çka u bë kështu bre?’ Ma ktheu: ‘Bëhu e fortë se ka ndodhur shumë… Azizi katër veta i ka mbytur, pesë i ka plagosur dhe vetes i ka ra në qafë! As nuk më tha është mbytur, as s’është mbytur. E pyeta përsëri: A është gjallë Azizi? Ai tha: Jo, ka vdekur…”’, thotë nëna e Azizit. Me këtë rast nga lajmi trishtues që merr, nënë Sala ishte ngritur në këmbë dhe me sa fuqi që kishte me dy grushte godet tavolinën dhe me zemërim u thotë në gjuhën shqipe: “Ku ishit more ju krejt oficerët e kësaj ushtrie që i keni lënë ushtarët mu ba kështu?” Në sallë mbretëronte heshtje, askush nuk fliste, nënë Sala kishte mbetur e shtangur në këmbë. Asaj i ofrojnë një kafe, të cilën e refuzon menjëherë, pastaj i sjellin një injeksion për t’i dhënë për qetësim. Edhe këtë nuk kishte pranuar ta marrë me arsyetimin se me gjithë dhimbjen shpirtërore që ka mund të përballojë! (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
AC Milani ka njoftuar edhe zyrtarisht se Mario Mandzukiq i…