Bahtiri e Meha flasin për rregullimin e sistemit të ujitjes në tokat bujqësore me komasacion

24 korrik 2019 | 16:21

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Egzon Jashari, kanë pritur në takim pune, ish-kryeshefin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Meha, si dhe me ekspertin holandez nga fusha e gjeodezisë, Rutger Kuiper, i cili është me eksperiencë ndërkombëtare në lëmin e trajtimit të tokave dhe ujërave. Në këtë takim, Meha e Kuiperi kanë prezantuar idetë e tyre për hartimin dhe implementimin e master-planit për rregullimin e sistemit të ujitjes në tokat bujqësore me komasacion.

Murat Meha ka thënë se ky master-plan do të hartohet në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë që është kompetente për trajtimin e zonave me komasacion dhe implementimi i tij do të financohet nga Banka Botërore.

Ndërsa, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e tij që kjo çështje të trajtohet duke marrë parasysh nevojën e rregullimit të këtyre zonave.

Drejtori Egzon Jashari ka prezantuar gjendjen e zonave me komasacion në komunën e Mitrovicës Jugore, duke bërë me dije se ekzistojnë katër zona me komasacion, të cilat gjinden në zonat kadastrale; Kçiq i Madh, Frashër, Koshtovë dhe Vinarc i Poshtëm, dhe si tërësi gjenerojnë një sipërfaqe të përgjithshme rreth 725 hektarë.

“Rëndësia e rregullimit të kësaj çështje është shumë e madhe pasi që jo vetëm që ndihmon pronarët të definojnë pronat e tyre në aspektin formal-juridik, por gjithashtu i mundëson edhe Zyrës Kadastrale në Mitrovicë t’i mbuloj me të dhëna të plota kadastrale zonat në fjalë duke bërë njëkohësisht edhe debllokimin e tyre, me ç’rast do të harmonizohej gjendja faktike në terren me dokumentacionin kadastral”, ka thënë Jashari.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës, pasi një hetimi prej tetë muaj, ka …