Bahtiri: Nëse pengohet kërkesa për bashkimin e Mitrovicës, fillojmë me peticionin

17 dhjetor 2018 | 14:07

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se vendimi unanim i marrë nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës më 30.11.2018 duke iu drejtuar Qeverisë së Kosovës për të proceduar në Kuvendin e Kosovës kërkesën për bashkimin e qytetit të Mitrovicës është legjitime.

“Ne konsiderojmë se është shumë legjitime për vet faktin se Kuvendi Komunal ka të drejtë t’i drejtohet organeve shtetërore me çfarëdo kërkese. Është organi kompetent të cilit Kuvendi Komunal i është drejtuar, Qeverisë së Kosovës dhe jo MAPL-së ndërsa Qeveria e Kosovës në këtë rast është akteri kryesor që është dashur të kthej një përgjigje për kërkesën tonë”, është thënë në reagimin e Bahtirit dërguar mediave.

Ai në këtë reagim ka thënë se MAPL-ja nuk ka të drejtë ta shqyrtojë në brendësi kërkesën e tyre për arsye se nuk i është drejtuar këtij institucioni, pasi kërkesa i është drejtuar Qeverisë së Kosovës.

“Ju pa të drejtë keni stopuar kërkesën tonë drejt rrugës së Qeverisë së Kosovës e kjo nënkupton një frymë politike dhe aspak profesionale. MAPL-ja e cila monitoron edhe Kuvendet Komunale për vendimet e marra dhe në bazë të ligjit kthen edhe konfirmimet për ligjshmëritë e vendimeve por nuk ka të drejtë të stopojë ligjërisht një kërkesë e cila i adresohet një organi tjetër për shqyrtim pa e shikuar thellësinë e kërkesës. Prandaj kërkoj profesionalizëm dhe paanësi politike që kjo kërkesë të delegohet tek organi i duhur shqyrtues”, ka deklaruar Bahtiri.

Ai ka shtuar se nuk do të ketë organ që do ta ndalë iniciativën dhe vullnetin e mirë të qytetarëve të Mitrovicë që kjo kërkesë të delegohet tek organet kompetente të thirrura për miratimin e ligjeve të Kosovës.

“Po ju paralajmëroj që nëse kjo kërkesë pengohet jo ligjërisht atëherë do t’ju drejtohemi qytetarëve për realizimin e një peticioni i cili do të ketë me qindra e mijëra nënshkrime. Këtë gjë nuk kam dashur ta bëjë më herët sepse unë kam zgjedhur mënyrën institucionale ku përmes Kuvendit Komunal i cili përfaqëson edhe zërin e qytetarëve, këtë kërkesë e kemi adresuar tek institucionet qendrore”, ka thënë Bahtiri.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), kudo që…