Bajrami: Dialogu me Serbinë të përmbyllet sa më shpejt dhe me njohje reciproke

13 maj 2026 | 17:01

Kryenegociatori i Republikës së Kosovës në dialogun teknik për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ambasadori Agron Bajrami, është takuar të mërkurën me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për këtë proces, Peter Sorensen.

Në këtë takim, Bajrami ka thënë se Kosovës është e vendosur që ky proces të përmbyllet sa më shpejtë me njohje reciproke.

Në takim janë shkëmbyer mendime lidhur me hapat e ardhshëm në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe me hapat konkretë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

“Kryenegociatori Bajrami theksoi se Republika e Kosovës është e vendosur në qëndrimin e saj se procesi i dialogut duhet të përmbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur, përmes njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, për t’i hapur rrugën integrimit të plotë të Kosovës dhe të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian. Ai po ashtu theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në këtë proces, duke kërkuar që të shtohen presionet ndaj palës tjetër për të përmbushur obligimet që ka marrë gjatë viteve në dialog. Këto obligime përfshijnë integrimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, NATO dhe OKB”, ka thënë Bajrami siç ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Sa i përket hapave të ardhshëm, kryenegociatori Bajrami ka theksuar se Kosova insiston në zbatimin e plotë dhe jo-selektiv të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit implementues të Ohrit, që përfshin obligimin e Serbisë për të respektuar integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe sovranitetin e institucioneve të saj në të gjithë territorin e Kosovës.

“Progresi i mëtejshëm në proces do të varet shumë edhe nga llogaridhënia për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, që përfshin dorëzimin e udhëheqësit të këtij sulmi, Milan Radojiqit, dhe grupit të tij, për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë, ka thënë ambasadori Bajrami.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Udhëheqësit e Nëntëshes së Bukureshtit (B9) dhe aleatëve nordikë të…