Balla kërkon nga deputetët ta votojnë rezolutën që dënon gjenocidin serb në Srebenicë

07 korrik 12:34

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste (PS), Taulant Balla, ka kërkuar nga deputetët ta votojnë rezolutën që dënon gjenocidin serb në Srebenicë.

“Rezoluta konfirmon bindjen tonë të përbashkët se ka ardhur koha të dëshmohet me vepra vullneti dhe angazhimi për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimeve të luftës dhe vënë pas hekurave kriminelët, pasi për këtë u detyrohemi jo vetëm më shumë se 8 mijë civilëve të pafajshëm që u masakruan në Sreberenicë, por dhe mbi 10 mijë shqiptarëve të vrarë edhe 20 mijë grave shqiptare të dhunuara gjatë spastrimit etnik në Kosovë. Rezoluta dënon fuqishëm si të papranueshme e tejet të rrezikshme vazhdimin dhe përshkallëzimin e retorikës politike nacionaliste, nxitjen e urrejtjes etnike dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës nga disa individë, grupime e aktorë politike e medietike brenda e jashtë Ballkanit Perëndimor”.

“Në përputhje të plotë me rezolutat e Parlamentit Evropian, të datës 7 korrik 2005, 15 janar 2009 dhe të atë datës 15 korrik 2015 për Përkujtimin e Genocidit në Srebrenicë, Rezoluta i kërkon Qeverisë të nderojë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe të shpallë datën 11 korrik si Ditën e Përkujtimit të genocidit në Srebrenicë”, ka thënë Balla.

Projektrezoluta për përkujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebenicë:

Më 11 korrik 1995, qyteti boshnjak i Srebrenicës, i cili kohë më parë ishte shpallur një zonë e sigurt me Rezolutën 819 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u kap nga forcat serbe të Bosnjës.

Prej atij moment për disa ditë me radhë, më shumë se 8000 burra dhe djem myslimanë, të cilët kishin kërkuar siguri në këtë zonë nën mbrojtjen e Forcave Mbrojtëse të Kombeve të Bashkuara (UNPROFOR), u ekzekutuan barbarisht nga forcat serbe të Bosnjës të komanduara nga gjenerali Mlladiq dhe nga njësitë paraushtarake që vepronin nën autoritetin e Presidentit të atëhershëm të Republikës Srpska, Radovan Karaxhiq.

Rreth 30 000 gra, fëmijë dhe të moshuar u dhunuan dhe u dëbuan me forcë në një fushatë masive të spastrimit etnik. Në vitin 1999 sekretari i përgjithshëm i OKB-së, në raportin e tij për rënien e Srebrenicës do të deklaronte se OKB-ja dështoi në zbatimin e mandatit të saj, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e të ashtuquajturave ‘zona të sigurta’, dhe kështu ndan përgjegjësinë.

Histori tragjike por dhe e turpshme e kohëve moderne mu në zemër të Evropës së vlerave të larta njerëzore e parimeve demokratike, e cila duhet të shërbente si një këmbanë alarmi ndaj rreziqeve të formave ekstreme të nacionalizmit dhe intolerancës, dhunës dhe tmerreve të luftës që shkaktojnë ato.

Por, fatkeqësisht, gjenocidi i Srebrenicës rezultoi të ishte vetëm uvertura e një gjenocidi edhe më të gjerë, i cili u shtri pak më pas edhe në Kosovë./Top Channel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Max Verstappeni ka dhënë disa hollësi nga e kaluara e…