Ballkani pëson humbje nga Viktoria Plzen

21 shtator 2023 | 23:01

Ballkani e ka filluar edicionin e dytë të Ligës së Konferencës si mysafir i Viktoria Plzen nga të cilët pësuan me rezultat 1-0.

Pjesa e parë u përshkrua me duele të forta dhe një Ballkan që nuk lëshon asnjë centimetër.

Vendasit kishin më shumë nga loja me top, ndërsa Ballkani ishte më i mirë ën kundërsulme, ku ka mundur lehtë edhe të shënonte.

Në dy kundërsulme Nazmi Gripshi dhe Albin Berisha u vonuan që të godisnin portën.

Vendasit kishin një gjuajtje nga distanca, por Enea Koliqi ishte në vend.

Edhe fillimi i pjesës së dytë i takoi çekëve që kërkonin golin e epërsisë, ndërsa lojtarët e Ballkanit mbroheshin në mënyrën më të mirë.

Goli i epërsisë për Plzen erdhi në minutën e 73-të, kur Lukas Kalvach goditi nga distanca, ku gjuajtja e tij u devijua nga Lumbardh Dellova, për të shkuar në shtyllë pastaj në portë.

Ballkani filloi të luajë pasi pranoi gol, duke krijuar dy raste shumë të mira. Fillimisht në minutën e 83-të kur Nazmi Gripshi gjuajti bukur, por topi shkoi pak mbi portë.

Pas tre minutash mundësi të mirë krijoi edhe Qëndrim Zyba, por edhe gjuajtja e këtij të fundit shkoi jashtë. Deri në fund Ballkani nuk ia arriti të barazojë dhe u desh të pajtohej me humbjen.

Viktoria Plzen dhe Dinamo Zagreb kanë nga tri pikë pas xhiros së parë, ndërsa Ballkani dhe Astana janë pa pikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova do të paraqitet me pesë garues në Grand Slam…