Banka Botërore siguron pajisje mjekësore për Kosovën

18 janar 2021 | 17:36

Me pajisjet më të fundit mjekësore që Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë marrë tani me mbështetjen e Bankës Botërore, laboratorët dhe sistemet shëndetësore të Kosovës tani janë në një pozitë më të mirë për të avancuar përgjigjen klinike të vendit ndaj pandemisë Covid-19. Kjo është bërë me dije me anë të një komunikate për medie nga Banka Botërore. “Ngritësit dhe frigoriferët ultra të ftohtë, kutitë e transportit, çantat për mbrojtje nga rreziku biologjik, tubat për mbledhje të gjakut, gjilpërat e sigurisë dhe shumë pajisje dhe furnizime të tjera të ndërlidhura të prokuruara përmes grantit Financimi për Pandemi të Bankës Botërore prej rreth 1.75 milion Euro, tani kanë mbërritur në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik. Ato do të ndihmojnë përpjekjet e Kosovës për të krijuar magazinim për të ruajtur një zinxhir të ftohtë pa ndërprerje për vaksinat”. “Ardhja në Kosovë e pajisjeve shtesë mjekësore është një lajm i shkëlqyeshëm për betejën e Kosovës me COVID-19, i cili shpresojmë të ndihmojë kthimin e vendit në një rrugë të prosperitetit të qëndrueshëm”, ka deklaruar Massimiliano Paolucci, Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën. “Banka Botërore do të vazhdojë të sigurojë mbështetjen e saj për Kosovën për të adresuar ndikimin shkatërrues të Covid-1919 në shëndetin publik dhe ekonominë, duke ndihmuar në shpëtimin e jetëve dhe forcimin e sistemit shëndetësor të vendit”, shtoi ai.

Pajisjet dhe furnizimet e ardhura së fundi dhe të financuara nga granti i financimit emergjent për pandemi, plotësojnë prokurimin dhe shpërndarjen e pajisjeve dhe furnizimeve shtesë për Covid-19 në kuadër të Projektit Shëndetësor të Kosovës, i financuar nga Banka Botërore dhe zbatuar nga Ministria e Shëndetësisë. Deri më tani, 3.4 milionë euro janë përdorur për të blerë dhe vendosur me sukses në spitalet vendore 60 shtretër të kujdesit intensiv të teknologjisë së lartë; 55,500 maska FFP2 për frymëmarrje; 90,000 veshje mbrojtëse; 15,000 mburoja të fytyrës; 15,000 syze mbrojtëse; 4,600,000 dorëza nitrile; 225,000 dorëza kirurgjikale; 120,000 maska për fytyrën; 15 pompa infuzioni për lëngje intravenoze; 7 sisteme dixhitale me rreze X; 300 monitorë pacientësh; dhe të tjera. “Për më tepër, Banka Botërore po mbështet gjithashtu përgjigjen e Kosovës ndaj Covid- 19 përmes një financimi prej 46 milion Euro për Projektin e Emergjencës Covid-19 në Kosovë, i cili gjithashtu përfshin blerjen e pajisjeve dhe furnizimeve mjekësore shtesë për institucionet shëndetësore të Kosovës. Edhe kjo pajisje tashmë është blerë dhe duhet të arrijë së shpejti në duart e stafit shëndetësor të Kosovës”.

Programi aktual i Bankës Botërore në Kosovë mbështet 11 projekte në sektorë të ndryshëm, me 281.6 milion dollarë amerikanë në kredi të buta. Përveç kësaj, Banka Botërore gjithashtu mbështet Kosovën me financim në formë të granteve dhe punë analitike.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një burrë i frikësuar për të marr rrugë për shkak…