Bankat në Kosovë fituan mbi 65 milionë euro pesë muaj

09 gusht 2023 | 12:32

Në Kosovë bankat komerciale kanë ecuri tejet pozitive. Kështu është thënë në një raport të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Sipas këtij raporti, vetëm deri në maj të 2023-tës, bankat kanë arritur të sigurojnë profit neto hiç më pak se 65 milionë euro.

BQK-ja ka theksuar se këto fitime të mëdha, vijnë si rezultat i normave të larta të interesit në kredi, si dhe nga tarifat e larta të shërbimeve (të hyrat nga jo-interesi), të cilat në vitin 2022 pothuajse të gjitha janë rritur në emër të inflacionit të lartë që po mbretëron në Kosovë e rajon.

Në raport është thënë se në muajin maj, të hyrat totale në këtë sektor ishin në vlerë të 157.5 milionë eurove.

Prej tyre, gjithsej 118.1 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi.

Ndërsa shpenzimet totale të këtij sektori për këtë periudhë ishin 91.6 milionë, kurse shpenzimet për interes ishin në vlerë të vetëm 13.3 milionë eurove. Ndërkohë, normat efektive të interesit në muajin maj mbetën në vlerën 6.5 për qind.

Norma e interesit për kreditë e dhëna për ekonomitë familjare në këtë periudhë ishte 6.1 për qind njësoj si në prill, kurse për ato konsumuese kanë mbetur po ashtu njësoj si në prill në 6.5 për qind.

Sipas këtij raporti, kreditë për korporatat jofinanciare janë rritur në 6.8 për qind nga 6.5 për qind sa ishte në muajin prill të këtij viti.

Në anën tjetër, vlera totale e shumës së dhënë për kredi deri në muajin maj të këtij viti, ka arritur në 4 miliardë e 643.3 milionë  euro nga 4 miliardë e 562.8 milionë euro sa ishte vlera në prill.

Prej gjithë kësaj shume, 1 miliard e 747.2 milionë euro ishin kredi për ekonomitë familjare, 2 miliardë e 864.9 milionë tjera për korporatat jofinanciare dhe 15.6 milionë euro për korporatat tjera financiare.

Kurse depozitat e qytetarëve të ruajtura nëpër bankat komerciale në vend, deri në fund të muajit maj 2023, arritën në 5 miliardë e 604.3 milionë euro, nga 5 miliardë e 575.0 milionë sa ishte vlera e tyre në prill.

Aktualisht, vlera totale e aseteve të sektorit bankar në vend, është 6 miliardë e 806.4 milionë euro.

Kujtojmë se edhe gjatë vitit 2022, fitimi neto i këtyre institucioneve bankare në vend kishte shkuar mbi 140.3 milionë euro, duke e tejkaluar kështu mesataren disavjeçare që zakonisht ishte përmbyllur me nga 80-100 milionë euro. Ndryshe, në  Kosovë aktualisht janë duke operuar gjithsej 12 banka komerciale, 9 prej të cilave janë banka me kapital të huaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia bashkë me drejtorin e ShSKUK-së,…