Barcelona kualifikohet në gjysmefinale, paqe në ndeshjen Napoli-Atalanta

03 shkurt 2021 | 23:47

Barcelona ishte shumë afër eliminimit nga Kupa e Mbretit, por ndryshe nga Real Madrid, katalanasit nuk u dorëzuan, reaguan dhe ia dolën të fitonin 3-5 në shtesa në fushën e Granadës. Ndërkohë, Napoli dhe Atalanta e mbyllën në barazim pa gola takimin e parë gjysmëfinal të Kupës së Italisë.

Granada ia doli t’i shënojë dy herë Barcelonës falë rrjetave të brazilianit Kennedy në pjesën e parë dhe Roberto Soldados në minutat e para të fraksionit të dytë ta takimit. Vendasit po udhëhiqnin 2-0 deri në minutën e 88-të, por golat e Griezmann dhe Jordi Alba dërguan sfidën në shtesa.

Sulmuesi francez shënoi një tjetër gol (100′), por Granada fitoi një penallti tre minuta më vonë, të cilën Fede e transformoi në gol. Emocionet nuk kishin mbaruar dhe miqtë realizuan dy herë të tjera brenda pesë minutave.

Frenkie De Jong kaloi ekipin e tij në avantazh, ndërsa Jordi Alba gjeti golin e dytë personal dhe vulosi suksesin me “manita” të Barcelonës, që siguroi me vuajtje kalimin në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit.

Napoli dhe Atalanta do e vendosin në Bergamo se kush do të kalojë në finalen e madhe të Kupës së Italisë. Sfida e luajtur në “Diego Armando Maradona” përfundoi pa gola, edhe pse rastet nuk munguan në të dy krahët.

Elseid Hysaj e zhvilloi takimin e plotë. Shkodrani i kombëtares u aktivizua në krahun e majtë të mesfushës nga Gattuso, ndërsa Amir Rrahmani e ndoqi përballjen nga stoli. Në krahun tjetër, Berat Gjimshiti titullar si gjithmonë tek Atalanta. Sfida e kthimit luhet pas një jave. /abcnews.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet nga radhët e AKR-së, Jetlir Zyberaj i…