Basha, ambasadorëve: Mos u bëni palë me askënd, por me vlerat mbi të cilat qëndroni

15 mars 2019 | 16:53

Pas takimit me ministrin e Jashtëm çek në selinë e Partisë Demokratike, kryetari i opozitës Lulzim Basha, ka dalë me një deklaratë për mediet, me në krah aleatët e tij në opozitë.

Ai ka thënë se me të patën mundësinë të shpalosnin edhe njëherë vlerat evropiane, si thelbi i betejës opozitare.

“Jam i inkurajuar nga fakti se në betejën për vlerat evropiane, për zgjedhje të lira, një parlament të shkëputur nga krimi, një qeveri të çliruar nga krimi i organizuar dhe interesat e oligarkisë, por edhe për një Shqipëri të çliruar nga qeverisja kriminale, ne kemi gjetur jo vetëm një bashkëbisedues të vëmendshëm, por edhe një mbështetës të fuqishëm të rrugëtimit europian të Shqipërisë”, ka thënë Basha.

Sipas tij, ky rrugëtim pengohet nga korrupsioni galopant, nga krimi i organizuar dhe nga asgjësimi i votës së lirë.

“Përpjekja jonë, jo thjesht për të larguar një regjim të ardhur në pushtet përmes paktit me krimin, por për të çliruar votën e lirë dhe për të bërë një pakt me të gjithë shqiptarët, ku vlerat e demokracisë dhe të lirisë të mos i cenojë dot më askush, ka nisur rrugëtimin përmes protestave dhe aksionit qytetar, por edhe përmes gjithëpërfshirës së elitës intelektuale”, ka deklaruar Basha.

I pyetur mbi reagimet e Ambasadës së ShBA dhe misionit të BE-së në Shqipëri, Basha ka thënë:
“Nuk i komentoj kurrë deklaratat e ambasadave, por një sugjerim e kam edhe për ata. Unë u kërkoj atyre që të mos jenë palë me asnjë person në Shqipëri, me asnjë parti politike, por të jenë palë me vlerat për të cilat ata dhe vendet e tyre qëndrojnë. Vlerat e demokracisë, të zgjedhjeve të lira e të ndershme, të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe drogës, shitblerjes së votës”.

Këto probleme, sipas Bashës i ka shprehur qartë edhe raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, para disa ditësh.

Basha ka theksuar se protesta e nesërme do të hyjë në histori si një ndër protestat më të mëdha në vend, përmes bashkimit më të madh popullor për të ndalur të keqen. /Top Channel/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Depresioni mund të shkaktojë probleme të gjumit, vështirësi në përqendrim…