Bashkëshortja e Rexhep Selimit, drejtorit të policisë: A keni ofruar dëshmi për lirimin me kusht të krerëve të UÇK-së?

12 tetor 2021 | 13:17

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe bashkëshortja e Rexhep Selimit, Shqipe Mehmeti-Selimi, e ka pyetur drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmetin, se a ka ofruar dëshmi policia te Gjykata Specialja lidhur me mbrojtjen në liri me kusht të ish-krerëve të UÇK-së.

Me këtë rast, Mehmeti ka thënë se kjo pyetje duhet t’i bëhet Dhomave të Specializuara.

“Besoj që opinioni publik tashmë e di se na janë bërë kërkesat nga avokatët mbrojtës dhe ne i kemi adresuar kërkesat nga avokatët mbrojtës, ndërsa pyetjet rreth Dhomave të Specializuara kisha pasur dëshirë me ua bërë Dhomave të Specializuara”, ka thënë Mehmeti gjatë raportimit në Komisionin për çështjet e sigurisë.

Ndërsa deputetja Mehmeti-Selimi, ka insistuar në këtë pyetje, duke kërkuar sqarime nga drejtori i policisë.

“Po mendoj që Dhomat e Specializuara kanë kërkuar që me ofruar dëshmi se çfarë kushtesh dhe dëshmisë keni për të ofruar mbrojtjen e lirimit me kusht”, ka thënë ajo.

Megjithatë, Mehmeti ka theksuar se një gjë e tillë i takon Dhomave të Specializuara, por shtuar se informatat për kapacitete e policisë tashmë i kanë dërguar në Hagë, raporton “EO”.

“Avokatët mbrojtës kanë bërë kërkesa për kushtet e lirimit me kusht. Ne kemi dërguar kapacitetin dhe aftësinë tonë dhe mundësinë tonë për me sigurua lirimin me kusht. Sa i përket çështjes rreth Dhomave të Specializuara, kisha pasur qejf me na kursyer për shkak se ato i takojnë Dhomave të Specializuara, jo neve”, ka thënë Mehmeti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e opozitës sot kanë ngritur çështjen e krizës energjetike…