Bashkimi mundi Vëllaznimin në Gjakovë

29 tetor 2022 | 21:15

Bashkimi ka shënuar fitore shumë të rëndësishme, duke mundur Vëllaznimin në Gjakovë me rezultat 76:84 (14:22, 24:21, 18:20, 20:21), në xhiron e tetë të Prince Caffe Superligës.

Mysafirët e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, ku qysh në çerekun e parë krijuan epërsi prej 11 pikësh, 9:20, ndërsa kjo pjesë përfundon 14:22. Por, kuqezinjtë nuk u dorëzuan dhe të përkrahur nga tifozët vendas, arritën të barazojnë shifrat në 33:33, e të kalojnë në epërsi 34:33, ndërsa më pas u zhvillua lojë e barabartë, kurse skuadrat shkuan në pushim me shifrat 38:43, ku prizrenasit shënuan gjashtë pikë radhazi.

Portokallezinjtë e nisën më mirë pjesën e dytë, përkatësisht periudhën e tretë, ku sërish kishin epërsi prej dhjetë e 11 pikësh, ndërsa rezultati pas 30 minutash ishte 56:63. Vëllaznimi tentoi rikthimin e madh, ashtu si ndaj Trepçës, por nuk ia arriti qëllimin dhe pësoi humbje 76:84.

Te Vëllaznimi u dalluan Burim Zekiqi me 15 pikë e gjashtë kërcime dhe Damonte Dodd me 12 pikë e nëntë kërcime, kurse te Bashkimi më i miri ishte Fisnik Rugova me 20 pikë e tetë kërcime. Të dy skuadrat kanë nga tri fitore e pesë humbje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Joseph Pulitzer (1847- 1911) me prejardhje nga nje familje cifute…