‘Batalioni Atlantiku’, një arritje e madhe e diasporës shqiptare

09 prill 14:35

Ish-drejtori ekzekutiv i ‘Fondit Vendlindja Thërret’ për ShBA dhe Kanada, njëherësh iniciator dhe themelues i ‘Batalionit Atlantiku’, Shefki Mexhuani, në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ka folur për veprimtarinë e këtij fondi, për rëndësinë e formacionit ushtarak ‘Batalioni Atlantiku’, për rekrutimin e vullnetarëve për t’u bërë pjesë e radhëve të UÇK-së si dhe për nisjen e tyre në Kosovë. Ai ka vlerësuar se ‘Batalioni Atlantiku’ është një prej arritjeve më të mëdha të shqiptarëve në diasporë

“Epoka e re”: Z. Mexhuani, meqë keni qenë drejtor i ‘Fondit Vendlindja Thërret’ për ShBA dhe Kanada, si dhe themelues i ‘Batalionit Atlantiku’, mund të na tregoni si arritët ta krijoni këtë formacion ushtarak dhe cili ishte rëndësia e tij për Kosovën?
Mexhuani: Veprimtarët e ‘Fondit Vendlindja Thërret’ ua mundësuan bashkatdhetarëve në ShBA e Kanada që përmes këtij fondi të kontribuojnë me mjete materiale për UÇK-në. Në këtë fond u grumbullua një shumë e caktuar e parave, veshmbathje, si dhe pajisje të tjera për luftëtarët të cilat u dorëzuan në sektorin e logjistikës së UÇK-së. Përpos kontributit financiar, veprimtarët e fondit ua mundësuan bashkatdhetarëve edhe kyçjen në luftë, duke themeluar dhe organizuar një formacion ushtarak që më vonë do të quhej ‘Batalioni i Atlantikut’. Për të themeluar dhe organizuar një formacion të tillë ushtarak, aq më tepër në një shtet tjetër dhe aq më shumë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, normalisht se nuk ishte e lehtë. Pa dyshim se kërkohej mjaft angazhim dhe sakrificë. Themeluesit e këtij organizimi ishin Hysni Syla dhe unë. Organizimin kryesor e pata marrë përsipër së bashku me bashkëpunëtorët Naim Qela, Dervish Ukëhagja dhe Veton Grajqevci. Tërë ky aktivitet ishte në koordinim të plotë me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së. Organizimi i këtij formacioni ushtarak erdhi pas konsultave me Hysni Sylen, ku duke përcjell me vëmendje situatën e rëndë nëpër të cilën kalonte Kosova, pra duke pasur parasysh dëbimet, vrasjet e masakrimet, i propozova z. Syla për fillimin e procedurave për formimin e formacionit ushtarak vullnetar për t’i dalë në ndihmë atdheut. Propozimi im u mirëprit nga z. Syla, mirëpo u kërkua realizimi sa më i shpejtë sepse kjo çështje kërkonte mund dhe punë të shtuar. Kështu që, të dy u pajtuam për të mundësuar një realizim të tillë. Nga gjysma e tetorit të vitit 1998 filluam rekrutimet, përpilimet e listave, paraqitjet e vullnetarëve e deri te regjistrimet. Në krye të organizmit mbeta unë pasi që z. Syla mori përgjegjësinë të qëndrojë në Shqipëri, ku prej aty të futet me armatim në Kosovë, pasi që ishte njohës i mirë i terrenit dhe ndihmonte në furnizimet me armatim për UÇK-në.

“Epoka e re”: Sa ishte numri i vullnetarëve, si u bë rekrutimi i tyre dhe nisja drejt Kosovës?
Mexhuani: Për një kohë të shkurtër u regjistruan 472 vullnetarë. Nga prilli i vitit 1999 organizimi ishte në përfundim dhe veprimtarët e ‘Fondit Vendlindja Thërret’ pothuajse kishin realizuar të gjitha procedurat për nisjen e vullnetarëve duke i përfunduar me sukses të gjitha detyrat. Më 11 prill të vitit 1999 u organizua takimi me vullnetarët në orën 10:00. Agjenda parashihte rreshtimin e vullnetarëve për betim në veshjen me uniforma ushtarake të UÇK-së si dhe me flamurin amerikan. Pa dyshim se kjo ditë ishte një nga ditët më emocionuese sepse te secili vullnetar vërehej gëzimi i madh për t’i dalë në ndihmë atdheut. Kështu që lirisht mund të themi se 11 prilli i vitit 1999 është datë e rëndësishme e historisë së diasporës shqiptare, datë e krenarisë dhe atdhedashurisë. Gjithashtu, përveç te vullnetarët, emocionet e krenarisë vëreheshin edhe te familjarët e tyre. Kështu bashkatdhetarët dhe bashkaktivistët e veprimtarët e shquar si: Bruno Ceka, Zenun Halili, Naser Mehmeti etj. kishin ardhur nga Dallasi për t’u përshëndetur dhe për t’i ndarë emocionet së bashku me luftëtarët e lirisë. Përveç kësaj, edhe kanalet televizive të rëndësishme në ShBA si ‘CNN’-i apo mediet e ndryshme evropiane, botërore, dhe sidomos të Moskës dhe të Beogradit, shfaqën interesim të jashtëzakonshëm për këtë ngjarje kaq të rëndësishme. Po ashtu, edhe tek shqiptarët nga mbarë bota u prit me gëzim dhe shpresë, që nga frontet e luftës ku jehonte kushtrimi: ‘Vëllezërit dhe motrat nga Amerika po na vijnë në ndihmë’. Por, ky gëzim i pamasë tek ne normalisht se kishte vlerë të madhe, sidomos kur merret parasysh fakti se pikërisht veprimtarët e ‘Fondit Vendlindja Thërret’ për ShBA dhe Kanada arritën t’i bindin autoritetet amerikane për të lejuar një organizim të tillë.

“Epoka e re”: E keni pasur të vështirë t’i siguroni pajisjet ushtarake?
Mexhuani: Një javë para 11 prillit të vitit 1999 e kam njoftuar kryetarin e fondit, Muharrem Dovolanin, se më 11 prill na duhen rreth 500 veshmbathje ushtarake dhe pajisjet ushtarake, me përjashtim të armëve dhe municioneve të cilat veç ishin nisur me aeroplan për në Shqipëri. Në kohë të paraparë Dovolani së bashku me Fluturim Rizvanin, Hajriz Hotin dhe Ridvan Dovolanin i sollën gjërat që i kërkuam. Po ashtu, Ahmet Zherka, tashmë i ndjerë, ka dhënë kontribut të madh në fushën e këshilldhënies së bashku me Skender Doqin në ndarjen e togjeve, skuadrave dhe kompanive. Gjithashtu, Viktor Buqaj, tashmë i ndjerë, së bashku me bashkëshorten e vet, znj. Kristina Buqaj dhe dhëndrin e tyre, Gazin dhe Anton Rajën, të cilët lejuan rreshtimin e vullnetarëve të ‘Batalionit Atlantiku’ në platformën e jashtme të hotelit si dhe qëndrimin e ‘Batalionit Atlantiku’ për tre net në ambientet e Hotel ‘Royall Regency’ (edhe pse fondi i kishte paguar shpenzimet e fjetjes dhe ushqimit), kurse vonesa u bë shkaku i dokumentacionit të pranimit të aterrimit të aeroplanit të ‘Batalionit Atlantiku’ në Aeroportin Rinas të Tiranës. Kur jemi te meritat duhet potencuar edhe kontributin e anëtarëve të kryesisë së ‘Fondit të Përbashkët Paterson në Nju Jork’ siç janë Ajri Hoxha, Izmir Alla etj. të cilët pa hezitim pranuan vendosjen dhe fjetjen për dy net në ambientet e zyrave të tyre si dhe ushqimin gjatë qëndrimit aty me shpenzime të tyre. Ky fond vazhdimisht ka kontribuar me shuma të konsiderueshme materiale për ‘Fondin Vendlindja Thërret’.

“Epoka e re”: Si ishte çasti kur vullnetarët hynë në Kosovë dhe iu bashkëngjitën radhëve të UÇK-së?
Mexhuani: Data 16 prill e vitit 1999 është koha kur ‘Batalioni Atlantiku’, nën përkujdesjen e veprimtarëve të ‘Fondit Vendlindja Thërret’, niset nga ambientet e ‘Fondit të Përbashkët Paterson NJ’ për në aeroportin ndërkombëtar JFK të Nju Jorkut, ku në mbrëmje të kësaj date aeroplani i ‘Miami Airlines’ B727-200, me numër të fluturimit 65, me 80 vullnetarë, së bashku me komandantin e batalionit Hysni Syla dhe Ali Gjonbalaj, i ngarkuar për përcjellje të batalionit nga shërbimi informativ i sektorit ‘Fondi Vendlindja Thërret’ për ShBA, udhëtojnë për në Shqipëri. Po nga Detroiti, pas një jave, udhëtojnë edhe disa vullnetarë të tjerë malësorë, të cilët u përgatitën nga Luigj Gjikaj, kryetar i Këshillit të ‘Fondit Vendlindja Thërret’. Pas mbërritjes në Shqipëri dhe stërvitjeve disajavëshe ‘Batalioni Atlantiku’ futet nga Zona e Pashtrikut në brendësi të Kosovës dhe iu bashkëngjitet aksioneve luftarake të UÇK-së në shërbim të atdheut deri në çlirimin e vendit. ‘Fondi Vendlindja Thërret’ për ShBA dhe Kanada ishte në gjendje të organizojë edhe formacione të tjera luftarake të luftës vullnetare për Kosovë. Në pritje ishin edhe 391 vullnetarë të tjerë që mezi prisnin të futeshin në luftë për çlirimin e Kosovës, duke iu bashkangjitur radhëve të UÇK-së, mirëpo lufta po shkonte drejt përfundimit dhe pastaj Kosova u çlirua. Përfundimisht sot pas 20 vjetëve ‘Fondi Vendlindja Thërret’ dhe veprimtarët e tij arritën që, përveç aspektit financiar, të kontribuojnë edhe në aspektin ushtarak, që ishte mjaft e rëndësishme për rrjedhën tonë të historisë. 20 vjet pas e kujtojmë me krenari këtë pjesë si një nga arritjet më të mëdha të diasporës shqiptare.

Faton DËRMAKU

 

Lajme të sponsorizuara