Batatina: Llapi fiton titullin dhe del në Evropë

07 dhjetor 2018 | 22:34

Tahir Batatina është optimist se Llapi do të dalë në Evropë ani pse kjo skuadër tashmë është eliminuar nga gara e Kupës dhe për të arritur një synim të titull e ka triumfin në kampionat.

Skuadra e Llapit është eliminuar nga gara e Kupës dhe ka mbetur një hap pas në garën për titull të kampionit në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Drejtori sportiv Tahir Batatina të enjten për “Epokë e re” ka thënë se skuadra e Llapit do të dalë në Evropë. “Llapi që tre vjet është afër për ta siguruar daljen në Evropë, por nuk kemi arritur të bëjmë një gjë të tillë për nuanca të vogla. Tash jemi eliminuar nga Kupa dhe kemi më të lehtë të fokusohemi vetëm në një garë për titull. Të shohim si do të ecë kampionati në pranverë, por besojmë se do ta fitojmë titullin dhe të dalim në Evropë. E mira është që kemi ndeshje të drejtpërdrejta dhe Llapi do ta shkrijë epërsinë e Prishtinës dhe Feronikelit. Cilësia e tri skuadrave është thuajse e njëjtë dhe nuancat e vogla do ta vendosin titullin”, ka thënë Batatina.

Ish-trajneri i Llapit, që tash e kryen detyrën e drejtorit sportiv dhe ekzekutiv, e ka analizuar edhe sezonin vjeshtor, duke thënë se e mira e të gjithave është fakti se skuadra e Llapit ende është në garën për titull. “Nuk e kemi filluar mirë edicionin në Superligë edhe pse kishim shumë përforcime. Ndërkohë kishim probleme me lëndimin, por në ndeshjet e fundit kemi marrë rezultate pozitive. Sezonin vjeshtor e kemi mbyllur në pozitën e tretë që nuk është pozitë aq e mirë, por rëndësi ka se jemi ende në garë për titull të kampiones dhe me një fitore dhe një humbje dallimi do të zvogëlohet. Do ta japim maksimumin që në fund ta arrijmë objektivin që të dalim në Evropë”, ka shtuar ai.

Tahir Batatina në fund foli edhe për trajnerin e ri në skuadrën e Llapit, duke e përjashtuar mundësinë që të rikthehet në pozitën e trajnerit. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që Bekim Shotani të jetë trajner i Llapit edhe në pranverë. “Marrëveshje me Bekimin kemi pasur deri në përfundim të sezonit vjeshtor dhe tash do të ulemi dhe të vendosim për trajnerin e ri. Unë nuk do të jem trajner i Llapit në pranverë, pasi e kam thënë edhe në fillim të kampionatit se në këtë edicion nuk do të jem trajner, pasi do ta menaxhoj skuadrën nga detyra e drejtorit sportiv. Gjithmonë planifikoj ta marr skuadrën nga ndeshja e parë dhe jo në mes të kampionatit”, ka deklaruar Batatina.

Skuadra e Llapit u mposhtë nga Trepça ’89 dhe u eliminua nga gara e Kupës, kurse kampionatin e mbylli në pozitën e tretë me 35 pikë të grumbulluara, katër më pak se skuadra e Feronikelit dhe pesë më pak se Prishtina që është lidere në elitë.

/Veton ZYMBERI/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtëpia botuese Inner Child Press International LTD, nga New Jersey,…