Perez planifikon revolucionin historik te Reali, klubi vlerësohet në 10 miliardë euro
Florentino Perez po përgatit një ndryshim të madh në strukturën ekonomike të Real Madridit, përmes krijimit të një kompanie të re tregtare, vlera e së cilës parashikohet të arrijë rreth 10 miliardë euro.
Presidenti madrilen synon t’ua hapë derën investitorëve të jashtëm, por pa ia dorëzuar kontrollin e klubit askujt tjetër.
Sipas planit të raportuar nga mediat spanjolle, Real Madridi do të mbajë nga 80 deri në 90 për qind të aksioneve të kompanisë së re, ndërsa pjesa e mbetur do t’u ofrohet investitorëve.
Fillimisht është miratuar mundësia e shitjes së pesë për qind të aksioneve, që do t’i sillte të paktën 500 milionë euro në arkat e klubit.
Për një pjesëmarrje prej 10 për qind, investimi do të arrinte në një miliard euro.
Megjithatë, Perez këmbëngul se ky ndryshim nuk do të nënkuptojë privatizimin e Real Madridit.
Ai dëshiron që klubi të vazhdojë të jetë në duart e anëtarëve të tij, të cilët do ta kenë fjalën përfundimtare për të ardhmen e institucionit.
“Fatin e Real Madridit do ta vendosin vetëm anëtarët. Kështu ka qenë gjithmonë dhe kështu do të jetë”, ka deklaruar Perez.
Projekti duhet të marrë fillimisht miratimin e Asamblesë së Përgjithshme dhe më pas të kalojë në referendum te anëtarët e klubit.
Nëse realizohet, kjo do të përbënte një nga ndryshimet më të mëdha në historinë ekonomike të Real Madridit, duke i hapur rrugë një modeli të ri financiar, pa hequr dorë nga pronësia e anëtarëve.



