Batatina nuk heq dorë nga Llapi: Klubi mbi të gjithë

31 korrik 2018 | 16:39

Adhuruesit e futbollit në Podujevë duhet të qëndrojnë të qetë, pasi Tahir Batatina nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga skuadra e Llapit.

Skuadra e Llapit në vitet e fundit identifikohet shumë me trajnerin Tahir Batatina, i cili është donatori kryesor në klub. Ai ka qenë trajner për një kohë të gjatë, kurse tash e mban postin e drejtorit sportiv. Pas zërave se ai do ta braktisë skuadrën nga stadiumi “Zahir Pajaziti”, Batatina të hënën për “Epokën e re” e ka mohuar një gjë të tillë.

“Nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me largimin tim nga Llapi. Të gjithë e dinë se ky klub që pesë vjet qëndron mbi supet e mia. Nuk lejoj që për gjëra të vogla të humbet mundi im pesëvjeçar, sepse Llapi është mbi të gjithë”, ka thënë Batatina.

Ditët e fundit është përfolur shumë se Llapi ka shkëputur marrëveshje me trajnerin Bylbyl Sokoli, i cili besohet të ketë pasur “përplasje” me drejtuesit e klubet rreth ideve se si duhet të funksionojë skuadra e Llapit në të ardhmen. Batatina ka hedhur poshtë mundësinë që Llapin ta drejtojë dikush tjetër në edicionin e ri futbollistik 2018/2019, por ka rikujtuar se janë rezultatet ato që e mbajnë trajnerin në bankën e një skuadre. “Sokoli e ka kontratën njëvjeçare me skuadrën e Llapit, por dihet se trajnerin e mbajnë vetëm rezultatet dhe asgjë tjetër në bankën e një skuadre”, ka deklaruar ai.

Tahir Batatina e udhëhoqi me sukses Llapin në Ligën e Parë duke e rikthyer pas një kohe të gjatë në Superligë, kurse në edicionin 2016/2017 e kualifikoi këtë skuadër deri në finale të Kupës, ku më pas pësoi humbje nga Besa e Pejës në penallti. Në kampionatin e fundit arriti që gjatë sezonit vjeshtor të dominojë plotësisht në futbollin e Kosovës duke u shpallur kampion për këtë sezon, por në pranverë nuk arriti ta mbajë skuadrën në formën më të lartë dhe e humbi garën për titull. Pas përfundimit të kampionatit, Batatina me drejtuesit e tjerë të Llapit vendosen të bëjnë reforma dhe ishte pikërisht ky trajner që e liroi pozitën e shefit të shtabit teknik për ta marrë postin e drejtorit sportiv me synime që në edicionin e ri të fitojë trofe dhe ta sigurojë pjesëmarrjen në garat evropiane.

/Veton ZYMBERI/  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Administratën Tatimorë të Kosovës (ATK) nga data 1 gusht…