“Baza e NATO-s në Kuçovë, mesazh për Serbinë dhe Rusinë”

05 mars 2024 | 08:06

“Hapja e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë ka ndikim strategjik në gjithë regjionin e Ballkanit sepse siguron më shumë stabilitet se është një mesazh i qartë për të gjithë ata që tentojnë ta destabilizojnë Ballkanin Perendimor”. Kështu deklaroi Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci në RTK.

“Kjo ka rëndësi të veçantë për faktin që kjo bazë është vendosur në Republikën e Shqipërisë, dihen raportet e Kosovës me Shqipërinë, për ne është një hap i rëndësishëm, por për gjithë Ballkanin Perendimor është i rëndësishëm sepse jep më shumë siguri dhe frenon dashakeqësit që tentojnë të destabilizojnë këtë regjion”, deklaroi Maqedonci.

Mes tjerash ai tha se ky është një mesazh edhe për frenimin e influenncës ruse në Serbi, dhe është një siguri që NATO u jep vendeve që aspirojnë anëtarësimin në këtë organizatë.

Ministri Maqedonci tutje tha se NATO e ka të nevojshme prezencën në Shqipëri dhe Ballkanin Perendimor edhe në aspektin taktik e operacional.

“Kjo bazë i jep mundësi aeroplanëve të NATO-së të zhvillojnë operacione edhe në vende të tjera, si Lindjen e Mesme dhe Mesdheun”, theksoi ai.

Ndërkohë duke folur për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovës, ministri i mbrojtjës tha se gjendja në këtë periudhë është e qetë, megjithatë sipas tij, rreziku është shumë real.

“Rreziku është shumë real, për shkak të dy elementëve kyq, si hegjemonia e Republikës së Serbisë në raport me fqinjtë, dhe dy, vendosja e njësive ushtarake të Serbisë në jug të territorit të saj. Pra, tri nga katër brigada të ushtrisë serbe janë të vendosura në regjionin jugor të Serbisë, dhe i kemi 48 baza që Serbia i ka vendosur në vijat kufitare me Kosovën. Dhe gjithë ky militarizim është kërcënim për Ballkanin Perendimor, theksoi Maqedonci.

Mes tjerash ministri foli edhe për marrëdhëniet e mira që FSK vazhdon ti ketë me SHBA-të duke treguar se po vazhdojnë aktivitetet e përbashkëta, ku tha se aktiviteti i fundit ishte muajin shkurt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtarët e Shoqatës për Mbrojtjen dhe Studimin e Zogjve të…