BDI: Presion dhe terror skandaloz e brutal ndaj Prokurorisë nga VMRO-ja
Bashkimi Demokratik për Integrim ka theksuar se fushata e përjavshme dhe e përditshme me kërcënime, terror dhe presion ndaj prokurorisë nga i forti me avion privat, Antonio Milloshoski, është skandaloze dhe e ngjashme me Korenë e Veriut.
“Milloshoski, i njohur për parullat “shqiptar i vdekur, shqiptar i mirë”, “dhoma gazi për shqiptarët”, për porositë e vendimeve gjyqësore, hetimeve, bastisjeve dhe lustrimeve, dhe i cili shpëtoi falë ndryshimeve në Kodin Penal, nuk ka kredibilitet moral, politik e as juridik të flasë për drejtësi. BDI tashmë e ka informuar të gjithë opinionin vendor dhe ndërkombëtar, ambasadat dhe organizatat, për këtë presion politik të paprecedent ndaj drejtësisë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Tutje theksohet se në vend që të tregojnë guxim, të vendosen mbi situatën dhe të pranojnë vendimet juridike, ata luajnë rolin e Temu-prokurorëve, ndonëse nuk e kanë lexuar as raportin e Entit Shtetëror të Revizionit e as vendimin e Prokurorisë.
“Enti Shtetëror i Revizionit nuk ka asnjë ekspertizë për vlerësim teknik, por VMRO-ja vazhdimisht e mashtron opinionin publik. Përkundrazi, Prokuroria ka siguruar ekspertiza të posaçme si për cilësinë, ashtu edhe për dëmin. E ftojmë Prokurorin Publik, Shoqatën e Prokurorëve Publikë, Këshillin e Prokurorëve Publikë, gjyqësorin, komunitetin juridik, SHBA-të dhe BE-në, si dhe mediat, ta dënojnë këtë terror brutal dhe të papranueshëm ndaj drejtësisë”, është theksuar në reagimin e BDI-së.



