BE-ja i ofron 700 milionë euro ndihma Greqisë për refugjatët

05 mars 2020 | 14:23

Brukseli i ka ardhur në ndihmë Greqisë për të përballuar fluksin e mijëra refugjatëve që po tentojnë të kalojnë kufirin nga Turqia. BE-ja apelon Turqinë të mos e shfrytëzojë situatën politikisht.

Bashkimi Europian i ka ofruar Greqisë 700 milionë euro për të fortifikuar kufijtë e saj tani që Turqia ka hapur portat për refugjatët drejt Evropës.

Ministrat e brendshëm dhe kryediplomatët e BE-së u takuan në Bruksel për bisedime urgjente rreth krizës emigratore më të rëndë që nga viti 2015.

Ankaraja thotë se nuk ka më kapacitetet për të strehuar rreth 4 milionë emigrantë, shumica sirianë, të larguar nga zonat e konfliktit.

“Turqia nuk është armikja jonë, por as njerëzit nuk janë armë. Duhet t’i kujtojmë këto dy parime në ditët e vështira që do të vijnë. Tani është koha për veprime të koordinuara dhe gjakftohtësi,” deklaroi Margaritis Skinas, zyrtari më i lartë i BE-së për emigracionin.

BE-ja shprehu solidaritet edhe me vendimin e Greqisë për të pezulluar procedurat dhe të drejtat e personave për të kërkuar azil, nismë që është qortuar nga grupet për të drejtat e njeriut.

“E drejta e azilit nuk do të thotë që presidenti turk Rexhep Taip Erdoan mund të dërgojë drejt Bashkimit Evropian sa emigrantë të dojë”, shtoi komisionerja e BE-së për Çështjet e Brendshme.

Me një deklaratë të përbashkët, ministrat evropianë i kanë bërë thirrje Ankarasë të mos tërhiqet nga marrëveshja e vitit 2016 për refugjatët dhe të mos i përdorë ata për presion politik.

Marrëveshja parashikon shpërndarjen e 6 miliardë dollarëve mbështetje financiare, por deri tani Turqisë i është paguar vetëm gjysma.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në nderim të 22-vjetorit të “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të…