BE-ja propozon një kredi prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën
Ekzekutivi i Bashkimit Evropian ka propozuar një kredi prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën, me qëllim që ta ndihmojë atë për përballimin e krizës financiare dhe forcimin e mbrojtjes.
Duke njoftuar planin për t’i dhënë hua Kievit këto mjete në vitin 2027, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë: “Ne mendojmë se kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë Ukrainës një dorë të fortë në tryezën e negociatave. Dhe Ukraina duhet të paguajë vetëm pasi Rusia të paguajë për dëmin që ka shkaktuar në Ukrainë”.
Ajo ka shprehur besimin se të 27 shtetet anëtare do ta mbështesin kredinë, pavarësisht se katër vende të Evropës Qendrore dhe Lindore tashmë e kanë përjashtuar veten nga ky financim.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se shpreson për miratimin e shpejtë të kredisë dhe se mbështetet në përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare të BE-së.
“Mbështetja e fortë për Ukrainën është sinjali më i mirë për Rusinë se kjo luftë duhet të përfundojë”, ka shkruar ai në “X”.
Zelensky i ka bindur udhëheqësit e BE-së muajin e kaluar se vendi i tij përballet me një boshllëk financimi prej 70 miliardë eurosh në vitin 2027.
BE-ja është zotuar të mbulojë 45 miliardë euro dhe dëshiron që aleatët e tjerë të Ukrainës të sigurojnë pjesën e mbetur.
Vetëm 11 muaj më parë, BE-ja kishte rënë dakord për një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, e cila kishte për qëllim të mbulonte dy të tretat e nevojave ushtarake dhe civile të Kievit për vitet 2026 dhe 2027.
Kredia e BE-së është e ndarë në dy pjesë: 25 miliardë euro për armë dhe 20 miliardë euro për nevoja civile, përfshirë financimin e shërbimeve thelbësore, si shkollat dhe spitalet.
Megjithatë, Sllovakia, Çekia, Hungaria dhe Bullgaria kanë thënë se nuk kanë ndërmend të marrin pjesë në raundin e fundit të financimit për Ukrainën. Kjo ka nxitur një paralajmërim nga kancelari gjerman, Friedrich Merz, se ai do ta bllokonte buxhetin shtatëvjeçar të BE-së nëse të gjitha vendet nuk do të pajtoheshin.
Katër vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore janë përfituese neto të buxhetit të BE-së, ndërsa Gjermania është kontribuuesi më i madh në buxhet dhe donatori më i madh i Ukrainës nga vendet e BE-së.
BE-ja dëshiron që aleatët e Ukrainës që nuk janë anëtarë të saj, si Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja, të sigurojnë 25 miliardë euro për Kievin në vitin 2027.



