Begaj kërkon nga Kosova dhe Serbia të ndërmarrin përgjegjësitë historike

16 qershor 2023 | 11:28

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj në Forumin i Prespës, ka thënë se Kosova është një realitet politik i pakthyeshëm. Ai është shprehur se integriteti territorial dhe sovraniteti i saj nuk mund të vihen në dyshim.

Më tutje, Begaj u ka bërë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të ulen në tryezën e bisedimeve për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit që çon më pas drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke.

“Dakordësia e fundit publike e arritur në Ohër, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte një moment tjetër optimizmi, por që shumë shpejt duket sikur po shndërrohet në një moment zhgënjimi. Nuk dua të hyj këtu në detaje, pasi partnerët tanë evropianë dhe amerikanë po japin një kontribut të jashtëzakonshëm që palët të arrijnë një kompromis për normalizimin e marrëdhënieve e njohjen reciproke”, ka thënë Begaj.

Begaj ka thënë se është koha e duhur që liderët dy vendeve të ndërmarrin përgjegjësitë historike.

“Askush nuk mund të verë sot në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Kosova është një realitet politik i pakthyeshëm! Por vlerësoj, se është koha e duhur që liderët e këtyre dy vendeve të ndërmarrin përgjegjësitë historike, që ashtu si ata të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë pesë vjet më parë, të çojnë përpara procesin e pajtimit, si dhe normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen mes tyre”, është shprehur Begaj. /A2news

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e thellë lidhur…