Begaj: Pa rregullimin e kanalizimit kryesor nuk mund të trajtohen ujërat e zeza

23 maj 2019 | 17:07

Nën organizimin e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) në Malishevë është mbajtur një takim me përfaqësues të njëmbëdhjetë fshatrave dhe kryetarit të kësaj komune, Ragip Begaj, ku është trajtuar çështja e kanalizimeve në fshatrat që shtrihen përgjatë rrjedhës së lumit Mirusha dhe e kanalizimit kryesor.

Në këtë takim, kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, ka deklaruar se pa rregullimin e vijës kryesore të kanalizimit dhe funksionalizimin e kësaj vije, nuk mund të zgjidhet problemi i trajtimit të ujërave të zeza.

Në këtë takim përfaqësuesit e këtyre fshatrave i kanë paraqitur shqetësimet e tyre, sidomos për ndotjen e rrjedhës së lumit, si një prej problemeve që duhet të zgjidhet shpejt, pasi vazhdimi derdhjes së kanalizimeve në lum, do të ketë pasoja afatgjate dhe vështirë të riparueshme. “Rregullimi i sistemit të kanalizimeve është prioritet i yni dhe do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim. Ajo që ne planifikojmë të bëjmë në vijim është incizimi i tërësishëm i vijës së kanalizimit kryesor, gjetja dhe riparimi i defekteve dhe rregullimi në funksion i kësaj vije bashkë me ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza. Kjo është mënyra e vetme e mundshme për trajtimin e mirëfilltë të ujërave të zeza dhe mbrojtjen e lumit”, ka thënë Begaj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) nga data 15 prill e…