Begaj: Vërtet jemi dy shtete, por mbi të gjitha jemi një Komb

27 nëntor 2022 | 18:01

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka përshëndetur mbledhjen e parë të përbashkët mes Kuvendit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës, zhvilluar në vigjilje të Ditës së Flamurit dhe 110-vjetorit të Ditës së Pavarësisë.

I pari i Shqipërisë ka kërkuar që bashkëpunimi mes dy shteteve të shtrihet në të gjitha fushat.

“Fryma dhe mesazhet vëllazërore të përcjella në këtë Kuvend të përbashkët duhet të shtrihen në të gjitha fushat e bashkëpunimit ndërshtetëror. Vërtet jemi dy shtete, por mbi të gjitha jemi një Komb, një Komb i cili sot kremton i lirë Ditën e Flamurit dhe është Sovran dhe Zot i fateve të veta”.

“Urime të gjithë deputetëve të Kuvendeve të Shqipërisë e të Kosovës për kontributin që japin për forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore”, ka shkruar Begaj.

Për këtë mbledhje që nga palët u quajt historike, në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë ishte hapur një ekspozitë me momentet më të rëndësishme të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, si dhe ishte organizuar një koncert me këngë dhe valle popullore shqiptare.

Derisa kjo është mbledhja e parë e përbashkët e Kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, qeveritë e të dyja vendeve viteve të fundit kanë organizuar disaherë mbledhje të përbashkëta të qeverive.

Aty janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje që për qëllim kanë rritjen e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në fushën e ekonomisë.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla tha se një bashkëpunim më i mirë mes dy vendeve i kontribuon përparimit të bashkësisë shqiptare në Ballkan si dhe e bën rajonin dhe Evropën më të qëndrueshëm.

Ndërkaq Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës u ndal tek rreziku që vjen nga Serbia, duke kërkuar ndihmën e Tiranës zyrtare.

Kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti u ndalën tek një shqetësim i përbashkët: nevoja për bashkëpunim dhe jo pengim i njëri-tjetrit.

Mbledhjen e dy kuvendeve e përshëndetën kryetarët e grupeve parlamentare të kuvendeve, të Kosovës dhe Shqipërisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë kaluar thuajse një javë nga vrasja e dyfishtë në…