Bekim Jashari tërhiqet nga politika, drejtimin e Listës së Pavarur “Ideal” ia lë Nuredin Lushtakut

01 shkurt 2023 | 21:28

Ish-kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, djali i heroit Hamzë Jasharit ka bërë të ditur se nga sot ka vendosur që zyrtarisht të pushoj aktivitetin e tij politik.

Ai tha se deri te vendimi ka ardhur në koordinim të plotë me familjen dhe për disa arsye, teksa shtoi se “nuk e kisha besuar që individë të caktuar do të degradonin gjithçka, duke shpifur, shantazhuar, blerë e manipuluar vullnetin qytetar, vetëm e vetëm për të fituar pushtet dhe ndikim të pamerituar.

“E para, asnjëherë në jetën time nuk kam pasur pretendime për të marrë pozita politike dhe pushtet por njëkohësisht nuk i kam ikur dhe nuk do t’iu iku asnjëherë përgjegjësive për t’i shërbyer vendit, në jetësim të amanetit të heronjve, dëshmorëve e martirëve të Lirisë”.

“E dyta, pas përfundimit të mandatit tim të parë si kryetar i Skenderajt, i hyra gares edhe për një mandat, duke prezantuar projektet e realizuara dhe programin qeverisës për mandatin e dytë. Këtë e kam bërë në formën më demokratike, në emër të gares fer dhe respektim të ligjit për çka edhe kemi punuar e luftuar me shekuj”, është shprehur Jashari.

Tutje, Jashari tha se arsyeja e tretë e largimit të tij nga politika është se situata aspak e favorshme në të cilën gjendet shteti.

“E katërta, në këto rrethana se si zhvillohet politika te ne, si organizohen grupe të caktuara partiake dhe të interesit, duke përvetësuar çdo mjet propagandues, duke shkatërruar e manipuluar gjithçka vetëm për të arritur interesa grupore e individuale, prania ime në politikë, në këtë momentum të tillë nuk mund të vazhdojë”, tha Jashari.

Më tej, ai tha se angazhimin e tij për qytetarët e Skenderajt e ka bërë vetëm me qëllim që t’i shërbej në paqe siç tha, “sikur i shërbyen të rënët në luftë dhe për këtë do të krenohem unë dhe çdo mbështetës e votues i imi deri në vdekje.

“Opozitën konstruktive në Skenderaj do të vazhdojnë të bëjnë asamblistët e listës së pavarur “Ideal”, së bashku me ish bartësin e listës, Nuredin Lushtaku si udhëheqës i përkohshëm, deri në zgjedhjen e strukturave drejtuese në muajt në vazhdim, duke i dhënë hapësirë secilit qytetar që mendon ndryshe dhe e sheh të domosdoshëm ndryshimin në Skenderaj”, shkroi Jashari.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey…