Bekteshi mat vlerat e drejtësisë dhe të letërsisë

20 prill 2022 | 17:49

Mërgim Bekteshi, poet dhe kritik nga Kosova, ka botuar librin e parë “Shkrime për drejtësinë dhe letërsinë”. Në këtë libër ai ka përmbledhur dhjetëra recensione për libra nga fusha e drejtësisë dhe letërsisë.

Më poshtë një fragment nga parathënia e librit dhe shënimi për autorin.

“Për letërsinë dhe drejtësinë gjithmonë jam përpjekur të gjej një emërues të përbashkët. Përmes letërsisë kam thelluar imagjinatën gjatë kohës së studimeve, ndërsa në fushën e drejtësisë, të cilën Kafka e quan shkencë misterioze, kam gjetur të drejtën e anashkaluar e të përbuzur.

Shkrimet, e përzgjedhura dhe të përmbledhura në këtë libër, kohë më parë i kam botuar në gazetën Epoka e re dhe në portalin për kulturë Observerkult. Kam shkruar dhe botuar dhjetëra analiza dhe recensione për libra të autorëve të Kosovës të cilët kanë kontribuar në fushën juridiko-penale, civile dhe kushtetuese. Kam shkruar edhe për autorët që kanë kontribuar në fushën e letërsisë, për poetë dhe prozatorë të njohur.

Disa prej librave të lexuar e më pas të interpretuar m’i kanë sugjeruar miqtë, disa të tjerë i kam zgjedhur për shijen time, pa më bindur askush se vepra e tyre ka vlerë. E kam hetuar vlerën e tyre jo në dukjen fizike të librit, por në përmbajtjen e tij. Prandaj, kur të gjitha shkrimet i bëra bashkë dhe bëra përzgjedhjen e tyre për botim, tash që po shkruaj edhe këtë parathënie për librin, nuk më shkon mendja ta rigjykoj vlerësimin që kam bërë se çfarë të lë dhe çfarë të heq nga ky libër.

Një punë në këtë libër ka bërë edhe redaktori: m’i ka redaktuar shkrimet që i kam publikuar e që i kam shkru­ar me një frymë, pa i kushtuar kujdes të mjaftueshëm gjuhës shqipe. E falënderoj”.

Shënime për autorin

Mërgim Bekteshi (1977, Lipjan) ka studiuar për letërsi dhe për drejtësi. Ka qenë gazetar dhe profesor. Një kohë ka punuar edhe në Drejtorinë e Kulturës në komunën e Lipjanit. Që shtatëmbëdhjetë vjet punon në Policinë e Kosovës. U shërben qytetarëve, por edhe drejtësisë, letërsisë dhe gazetarisë. Ato sprova shkrimesh që i ka shkruar dhe botuar ndër vite në medie fizike dhe elektronike, një natë i bëri bashkë dhe solli këtë sprovë të parë libri, për të cilën na flet vetë.

 

Përgatiti: Epoka e re

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
21.04.2022 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Prishtinë 1.…