Benzema: E dua Spanjën në finale

07 qershor 2021 | 16:28

Karim Benzema është njeriu i momentit në Francë. U rikthye pas 6 vitesh të luajë një ndeshje me “Gjelat” dhe tani pret me padurim fillimin e Europianit. Sulmuesi i Realit të Madridit shpreson që të luajë në finale kundër Spanjës. Ai flet gjithashtu për Mbapenë, Ramosin, hakmarrjen ndaj Gjermanisë dhe Ançelotin.

Nëse ju sheh tani, dukeni si njeriu më i lumtur i planetit…
Sigurisht. Ndihem si personi më i lumtur në botë. Gjërat që më bëjnë mua të lumtur janë familja dhe futbolli. Në Madrid jam shumë i lumtur duke luajtur dhe tani u riktheva me Francën për të luajtur në Europian. Thjesht duhet të jemi krenarë dhe me dëshirë për këtë kompeticion.

Çfarë imazhi kujtuat në momentin që trajneri Deshamp përmendi emrin tuaj në listën e futbollistëve të grumbulluar?
Ndodhi gjithçka shumë shpejt. Ishte një ndjenjë krenarie dhe lumturie në të njëjtën kohë. Pak nga pak e asimilova dhe mendova për shumë gjëra.

E keni kuptuar potencialin e kombëtares së Francës në stërvitje? Mendoni se jeni favoritët?
Jemi një skuadër shumë e fortë, në të gjitha linjat: portë, mbrojtje, mesfushë dhe sulm. Ka lojtarë që luajnë në klubet më të mira në botë, por për favoritët dhe këto histori nuk mund të shprehem. Është diçka që mendojnë të tjerët. Ne e dimë forcën tonë dhe duhet ta tregojmë në fushën e lojës.

Si ishte stërvitja e parë me Francën? Si ju pritën?
Ishte speciale, por unë fokusohem shumë vetëm tek ajo që ndodh në fushën e lojës. Dua të shijoj gjithçka dhe të luaj ashtu siç bëj te Reali i Madridit. Do të luhet një Francë-Gjermani dhe ju do të takoheni me shokun tuaj Toni Kros. Hera e fundit ka qenë në çerekfinalet e Botërorit 2014 ku humbët. Keni dëshirë për hakmarrje?Jo. Nuk mund të flasim për hakmarrje. Kanë ndodhur shumë gjëra më vonë. Ne e kemi fituar Kupën e Botës, ishim finalistë në Europian. Duhet thjesht të argëtohemi dhe të fitojmë ndeshjen. Sigurisht që përballja me Tonin është speciale, sepse me të jam mësuar të luaj çdo ditë. Ai më pason shpesh, ndërsa këtë herë do ta kem kundërshtar.

Si ju duket Alaba? Tani është lojtar i Realit të Madridit?
Sigurisht që është lojtar i mirë. Ka luajtur 8-9 vite te Bajerni dhe ka fituar shumë trofe. Është një përforcim i rëndësishëm për Realin.

Si e përjetuat ndeshjen kundër Uellsit, që ishte e para pas rikthimit?
Ishte një ndeshje e mirë. Kisha 6 vite pa luajtur dhe u lumturova shumë kur zbrita në fushën e lojës. Gabova një penallti, por për fat ishte miqësore. Duhet të përmirësohem akoma më shumë në stërvitje. Pastaj pata disa raste, por portieri i tyre ishte i zoti.

Cilat kombëtare janë favorite sipas jush?
Në futbollin modern nuk besoj shumë tek ekzistenca e favoritëve. Të gjitha skuadrat mund të fitojnë sepse ka shumë ekuilibër. Duhet të kemi besim te vetja jonë dhe të tregojmë që jemi më të mirët.

Keni një grup shumë të vështirë, i cili duket si grupi i vdekjes.
Është e vërtetë që grupi është i vështirë, por nuk ka grupe të lehta. Ndryshon vetëm emri i kombëtareve, por në fushën e lojës nuk ndryshon shumë. Të gjithë rivalët janë të vështirë. E vërteta është se edhe me Portugalinë do të jetë sfidë speciale sepse do të përballem me Kristianon dhe Pepen.

A do të jetë i aftë Reali që të ndërtojë skuadër të madhe pavarësisht vështirësive në aspektin ekonomik?
Nëse do të shohim sezonin e fundit, ne luajtëm deri në javën e fundit për La Ligën dhe ishim shumë afër fitores. Shkuam deri në gjysmëfinalet e Champions-it dhe humbëm ndaj Çelsit. Kemi pasur 60 dëmtime këtë sezon dhe ekipi nuk ka qenë kurrë i plotë. Nëse klubi vendos që të bëjë afrime sigurisht që mund të përmirësohemi. Duhet të fitojmë titull.

Fitorja e Europianit do të jetë një ëndërr speciale pasi me Realin nuk fituat asnjë trofe…
Sigurisht që është një ëndërr, mbi të gjitha për të arritur në majë. Ëndërr ishte rikthimi dhe tani duhet të japim gjithçka për të fituar titullin.

Ançeloti kishte shumë besim te ju. Si ju duket rikthimi?
Është një lajm i mirë. Ne e njohim të gjithë. Është një trajner i madh. Mua më pëlqen shumë filozofia e lojës së tij, mënyra si e sheh futbollin, si e menaxhon grupin dhe si e ndërton skuadrën. Dua të fitoj të gjithë trofetë.

Edhe Zidan ka qenë shumë i rëndësishëm për karrierën tuaj. E prisnit të largohej?
Ishte një surprizë për të gjithë, jo vetëm për mua. Zidan ka qenë si një vëlla i madh për mua. E njoh prej kohësh dhe më ka ndihmuar shumë si në fushën e lojës dhe jashtë saj. Tani kemi një tjetër trajner dhe duhet të fitojmë me të.

Si ju duket fakti që Ramos nuk është në Europian?
Kur dëgjova listën dhe emri i tij mungonte, mendova: Serxho është një mik i mirë, kapiteni ynë dhe ndihem i mërzitur për të që nuk është në kombëtaren e tij.

Do t’ju pëlqente të luanit me Mbapenë edhe përtej kombëtares?
Është i ri, me një kualitet të jashtëzakonshëm. Mbi të gjitha është djalë pozitiv. Do të ishte i mirëpritur në Madrid, por çdo skuadër do ta kishte marrë atë pa u menduar dy herë.

Do t’ju pëlqente që në finalen e Europianit të ishit kundër Spanjës?
Pse jo. Objektivi ynë është t’i marrim ndeshjet me radhë dhe të shkojmë deri në finale. Spanja ka një kombëtare të shkëlqyer dhe shpresoj që edhe ata të vijnë në finale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dogana e Kosovës për herë të parë që nga themelimi…