BEOGRADI, ADRESA E GJENOCIDIT NË KOSOVË

15 janar 2021 | 09:42

Lulëzim ETEMAJ

Kosovës i janë dashur 20 vjet kohë pas çlirimit dhe 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë për të miratuar një rezolutë kundër gjenocidit serb të kryer gjatë luftës! Ajo është miratuar tek më 16 maj 2019 kur, në Kuvendin e Kosovës, 79 deputetë kanë votuar në favor të saj, pa praninë e deputetëve serbë. Përmes saj, 15 Janari, dita kur në vitin 1999 forcat serbe kryen aktin gjenocidar në Reçak, është caktuar zyrtarisht si Ditë e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë.
Në fakt, termi “gjenocid”, kur flitet për krimet serbe, ka filluar të bëhet pjesë e leksikut të liderëve politikë, udhëheqësve të institucioneve shtetërore dhe deputetëve të Kosovës, po këtë vit, për t’u përmbushur gjatë vitit 2020.
Kjo është një pasqyrë që shpërfaq botërisht papërgjegjësinë njerëzore, politike dhe shtetërore të klasës politike të Kosovës pa përjashtim.
Nga ky grup nuk duhet përjashtuar as shoqërinë tonë. Ekstra nuk e them “shoqërinë civile”, ngaqë një të tillë, të konsoliduar, Kosova s’e ka pasur asnjëherë. Në të shumtën, ajo ose ka qenë bisht i politikave partiake ose ka shërbyer vetëm si trampolinë për ngritje pazari të njerëzve të saj në tregun politik, posaçërisht gjatë fazave parazgjedhore.
Ideja ka qenë që rezoluta t’i paraprijë krijimit të një gjykate për krimet serbe në Kosovë.
Kanë kaluar mbi një vit e gjysmë pas rezolutës, ndërsa Kosova s’e ka themeluar ende gjykatën e tillë.

Në të tilla rrethana, në përvjetorin e dytë zyrtar të Ditës së Gjenocidit në Kosovë, 15 janar 2021, liderët politikë dhe institucionalë duhet të tregohen të matur në paraqitje. Ata nuk duhet të harrojnë për asnjë çast se detyra e tyre, e pakryer, vazhdon të mbetet denoncimi, në emër të shtetit të Kosovës, i Serbisë për gjenocidin e kryer mbi shqiptarë.
Askush tjetër përveç tyre nuk është fajtor pse Kosova s’i ka ofruar fakte asnjë gjykate ndërkombëtare për mbi 10 000 shqiptarët e vrarë gjatë luftës; për mbi 20 000 femrat shqiptare të dhunuara; për 1 392 fëmijët e vrarë apo të zhdukur; për 1 653 të zhdukur…
Ankesat dhe akuzat verbale ndaj Serbisë dhe mekanizmave të caktuara ndërkombëtare tani nuk mund të përdoren si plaf për ta mbuluar dështimin e tyre në këtë segment, të shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë. Pjesë e këtij dështimi janë edhe pushtetarët shqiptarë të shtetit të Maqedonisë Veriore.
Kosovës, viktimave të gjenocidit dhe familjeve të tyre nuk u duhen gjë ankesat. Mobilizimi shtetëror, themelimi i Gjykatës dhe i Institutit për Krimet Serbe, mbledhja e fakteve, ndriçimi i gjenocidit dhe padia ndërkombëtare ndaj Serbisë është borxhi ynë! Kjo është edhe dalja nga rrethi vicioz jo vetëm i frustrimit dhe nervozës në të cilën sillemi sot si komb, shkaku i papërgjegjësisë sonë dhe agresionit të ashpër diplomatik, juridik dhe propagandistik të Serbisë në terrenin ndërkombëtar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilltari i u.d të Presidentes Vjosa Osmani, Faton Peci, ka…