Beqa: Të hiqen kushtëzimet që po dëmtojnë qytetarët

13 shtator 2018 | 12:34

Në mungesë të kohës në diskutimet e sotme në Kuvendin e Kosovës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Hajdar Beqa, fjalimin e tij e ka publikuar në faqen e tij në rrjetin social Facebook.

Beqa tha se gjatë gjithë kohës ka marrë shume shqetësime nga qytetaret për kushtëzimet që është duke i aplikuar aktualisht ministria e Punëve të Brendshme, si për të kaluar jashtë shtetit, ashtu edhe kushtëzimet që po aplikon në rastin e regjistrimit të automjeteve.

“Shumë shkurtë do të flas për një problem, më të cilin tash e një kohë të gjatë po ballafaqohen qytetarët e Republikës së Kosovës. Bëhet fjalë për kushtëzimin e pagesës së gjobave për kundërvajtje në komunikacion, si kush për të kaluar jashtë shtetit. Po ashtu, pagesa e gjobave, tatimit në pronë, por edhe pagesën e shërbimeve tjera publike, është kusht i domosdoshëm për të regjistruar automjetin. 

Gjatë stinës së verës, një numër jo i vogël i qytetareve janë bllokuar në Aeroport, apo edhe pika tjera kufitare, ngase nuk kanë mundur të kalojnë më tutje, pasi që ata kanë pasur pa paguar një tiketë për kundërvajtje në komunikacion”, ka shkruar deputeti Beqa.

Sipas tij, një veprim i tillë, ka dëmtuar shumë qytetarë si në kuptimin e imazhit, ashtu edhe në atë financiar, pasi që ka pas të tillë nga ta që kanë paguar aranzhmane turistike dhe nuk kanë mundur të fluturojnë drejtë destinacionit të tyre, për shkak se nuk e kanë paguar një tiketë për kundërvajtje në komunikacion, për mua kjo nuk ka kuptim.

“Në bazë të informatave, praktika të tilla nuk aplikohen në asnjë shtet, ngase mund edhe të jenë në Kundërshtim më Kushtetutën e Republikës. Mendoj se kjo është forma më e keqe që është duke e aplikuar në këtë rast Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës. Siç ju edhe e dini për inkasimin e borxheve ka forma tjera ligjore, dhe ato duhet të përdoren nga Institucioni në fjalë, e jo në këtë rast të përdoret Ministria e Puneve të Brendshme e Kosovës. 

Për këtë çështje unë si zëvendëskryetar i komisionit parlamentar për legjislacion kam marrë edhe një shkresë nga z.Sami Mazreku, drejtor i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, e ku mendoj se shqetësimi i kompanive që përfaqëson ky është shumë i drejtë. Për të regjistruar një automjet qytetaret duhet të paguajnë tatimin në pronë, taksat tjera komunale siç janë mbeturinat.. etj, tiketat për kundërvajtje në komunikacion si dhe më pas taksat tjera që parashihen me ligj. Veprimi i kushtëzimit në këtë rast është i jashtëligjshëm, antikushtetues, pasi që për këtë çështje ekziston edhe një rekomandim i Avokatit të Popullit”, ka shkruar më tutje deputeti Beqa.

Sipas tij, ministria e Punëve të Brendshme nuk duhet të shërbej si Institucion që inkason borxhet e institucioneve tjera të cilat nuk mund ta bëjnë një gje të tillë, në këtë rast MPB-ja duhet të kryej vetëm punën e vet.

“Kushtëzimet e tilla pa dyshim se kanë dhënë rezultate të këqija për vendimin për proceset në të cilat po planifikon të kaloj vendi jonë. Sipas informatave që më ka ofruar z.Mazreku në vendin tonë janë mbi 109 mijë automjete të pa regjistruara, apo rreth 30 për qind e automjeteve që gjenden në vend. Nga ky numër i madh i automjeteve të pa regjistruara shteti humb miliona euro që është dashur të inkasohen në emër të taksave, por po ashtu dëmtohet rëndë edhe Industria e sigurimeve e cila përpos rolit ekonomik në vendin tonë ka edhe një ndikim të dukshëm social, pasi që aty janë të punësuar direkt mbi 2000 punëtor. 

Numri i madh i automjeteve nuk i hap mundësi Kosovës për anëtarësim në Byronë e Kartonit të Gjelbër, pasi që për me qenë pjesë e saj një vend duhet të ketë numrin e automjeteve të paregjistruara deri në 5 për qind e ne e kemi rreth 30 për qind, kjo nuk do koment. 

Andaj është momenti i fundit kur duhet të heqim barrierat, duhet të heqim dorë nga kushtëzimet, duhet të heqim dorë nga veprimet anti-kushtetuese, dhe secili Institucion duhet te të kryej punën e vetë. Kështu veprojnë shtete të rajonit, Evropës, por edhe më larg”, ka shkruar deputeti Beqa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Parlamenti Evropian sapo ka votuar pro liberalizimit të vizave për…