Beqiraj: Ndeshja ndaj Kosovës, e veçantë për mua, por dua fitore

09 maj 2019 | 16:39

Fatos Beqiraj ka folur për ndeshjen ndaj Kosovës, të cilën e konsideron speciale për të. Sidoqoftë, futbollisti nga Kosova thotë se do ta japë më të mirën nga vetja për t’i mposhtur “Dardanët” me Malin e Zi. Futbollisti nga Peja do të luajë kundër vendit ku u lind dhe rrit, pasi siç dihet që një kohë të gjatë ai e përfaqëson Malin e Zi.

Në një intervistë për mediumin malazez “CDM”, sulmuesi pejan ka folur ndër të tjera edhe për duelin me “Dardanët”, i cili do të zhvillohet muajin e ardhshëm, respektivisht më 7 qershor, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

“Ndaj Kosovës nuk do të jetë një ndeshje e zakonshme për mua, sepse luaj kundër vendit në të cilin jam lindur, familja ime jeton atje. Por, unë e shikoj ndeshjen në aspektin sportiv, do ta bëj më të mirën për të fituar”, ka thënë Beqiraj. “Ne duhet ta marrim seriozisht Kosovën, sepse është organizuar në nivele të larta. Natyrisht, ne mund të fitojmë. Gjithashtu, do të jetë e bukur të udhëtojmë në Republikën Çeke pas fitores ndaj Kosovës”, ka shtuar ish-sulmuesi i Besës.

Ndërkohë, sulmuesi i rrezikshëm ka folur edhe në përgjithësi për grupin në të cilin gjendet Mali i Zi. Ai nuk mendon se gjithçka do të marrë fund me ndeshjet e qershorit. “Anglia është favorite absolute në grupin tonë dhe e kemi arritur një rezultat të mirë kundër Bullgarisë, përkundër faktit se nuk kemi luajtur mirë. Çka do që ndodh në muajin qershor nuk do të marrë fund asgjë. Sidoqoftë, rezultatet pozitive muajin e ardhshëm mund të na japin krahë”, ka deklaruar Beqiraj.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy klubet angleze, Liverpooli dhe Tottenham Hotspur tashmë kanë ndarë…