Beqiri: Në Drenicë shkojmë për fitore

23 nëntor 10:48

Superliga në futboll rikthehet pas një pushimi për shkak të ndeshjeve të Përfaqësues së Kosovës në Ligën e Kombeve. Sot (e premte) zhvillohen dy ndeshjet e javës së 16-të, ku takohen Drenica – Trepça ’89 dhe Ferizaj – Prishtina.

Portieri i Trepçës ’89, Arben Beqiri, ka thënë të enjten për “Epokën e re” se skuadra nga Mitrovica udhëton në Skenderaj për t’i marrë tri pikët nga ndeshja me Drenicën, e cila është e vlefshme për javën e 16 në IPKO Superligën e Kosovës në futboll.

Portieri Beqiri e lavdëron skuadrën kuqezi, por konfirmon se ’89-shi është përgatitur mirë për të arritur deri te fitorja. “Gjatë pushimit kemi punuar maksimalisht për ndeshjen me Drenicën. Luajmë si mysafirë dhe synojmë fitore në këtë takim, që është mjaft i rëndësishëm për të dyja skuadrat, për faktin se të dy klubet gjendemi në një pozitë jo të mirë në tabelën e klasifikimit dhe pikët e këtij takimi do të ishin shumë te mirëseardhura. Drenica është ekip që duhet respektuar, sepse luan futboll mjaft të mirë, sidomos para shikuesve të vet, por e mira është se ne jemi të kompletuar për këtë ndeshje”, ka thënë Beqiri për gazetë.

Drenica luan si skuadër vendëse dhe mesfushori Taulant Dajaku pret që kuqezinjtë t’u rikthehen rezultateve pozitive për faktin se në katër ndeshjet e fundit ka regjistruar katër humbje. “Do të jetë ndeshje e vështirë për ne pasi vijmë nga një moment i keq yni dhe luajmë ndaj një ekipi të fortë. Shpresojmë të kthehemi te rezultatet pozitive”, ka thënë Dajaku.

Drenica pozicionohet në vendin e tetë me 18 pikë, kurse Trepça ’89 renditet një pozitë më lart, me një pikë më shumë.

IPKO Superliga

Të premten takohen:
Drenica – Trepça ’89
Ferizaj – Prishtina

Të shtunën takohen:
Flamurtari – Llapi
Ballkani – Gjilani
KEK-u – Liria

Të dielën takohen: Drita – Feronikeli

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një nga përballjet më interesante deri tash në Media Ligë…