Berisha e Rrudhani: Synojmë rezultat pozitiv në Izrael

22 mars 2023 | 16:54

“Dardanët”, me një atmosferë të mirë sportive, e kanë kompletuar edhe stërvitjen e tretë para ndeshjes me Izraelin që zhvillohet të shtunën në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian. Futbollistët Valon Berisha dhe Donat Rudhani kanë shprehur optimizëm se Kosova mund të marrë një rezultat pozitiv. 

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të mërkurën e ka zhvilluar edhe seancën e tretë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet e para kualifikuese për “Euro 2024”.

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se para fillimit të stërvitjes përzgjedhësi i “dardanëve”, Alain Giresse, e ka mbajtur një videoanalizë të shkurtër me futbollistët, derisa gjatë stërvitjes është punuar me intensitet të plotë.

Mesfushori i spikatur Valon Berisha ka folur pas stërvitjes, duke thënë se atmosfera është shumë e mirë dhe stërvitja ishte shumë intensive. Berisha, i cili ka udhëtuar dy ditë për të qenë pjesë e Kosovës në ndeshjet e marsit, ka vlerësuar se Kosova dhe Izraeli janë në të njëjtin nivel dhe se “dardanët” duhet të marrin të paktën një pikë nga kjo ndeshje. “Ekipi po punon mirë dhe kemi filluar ta përgatitim lojën tonë, të cilën do ta aplikojmë kundër Izraelit. Sigurisht se do të jetë një ndeshje e vështirë sepse ata luajnë para tifozëve të vet. Edhe moti është më ndryshe sesa me atë që jemi mësuar ne. Temperatura do të jetë një sfidë e vështirë. Edhe ata duan të arrijnë në topdyshen e grupit dhe mendoj se jemi në të njëjtin nivel”, ka thënë Berisha dhe ka shtuar: “Është një ndeshje shumë e rëndësishme në të cilën duhet të marrim një pikë jashtë, së paku. Normalisht, fitorja është ajo që duam, por me rëndësi është të mos humbim. Misioni i kualifikimit a është i mundur? Besoj se po. Ajo që është kryesore për ne është se shumë lojtarë kyçë në kombëtare janë duke luajtur rregullisht në ekipet e tyre dhe janë në formë të mirë. Ky ndoshta ka qenë edhe fakti që është kërkuar më së shumti te përfaqësuesja jonë, që me sjell formën e tyre të mirë dhe të jenë të gatshëm për ta dhënë maksimumin për Kosovën”.

Pas stërvitjes foli edhe futbollisti Donat Rudhani. Ky i fundit ka konfirmuar se objektivi i Kosovës është kualifikimi në Kampionatin Evropian. “Jemi duke punuar me përkushtim dhe shpresoj se gjithçka do të shkojë mirë. Objektivi i kualifikimit në Evropian? Po, kjo është e qartë. Të gjithë kemi besim dhe dëshirë për ta arritur këtë gjë. Besoj se do të kualifikohemi, por kjo gjë arrihet vetëm me punë dhe për këtë arsye jemi duke punuar çdo ditë. Të gjithë jemi në top-formë dhe besoj se do t’ia dalim të gjithë së bashku”, ka thënë Rrudhani.

Lidhur me ndeshjen ndaj Izraelit, Rrudhani ka deklaruar: “Është një kundërshtar relativisht i fortë, por besoj se do të kthehemi me rezultat pozitiv”.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga prof. dr. Kudusi Lama, gjeneral në pension Kryeprokurori i…