Bërnabiqi akuzon ndërkombëtarët për zgjedhjet në veri të Kosovës

24 prill 2023 | 10:46

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka folur për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komuna në veri të Kosovës, duke theksuar se zgjedhjet e vërteta demokratike nuk mund të mbahen me praninë e forcave të armatosura dhe automjeteve të blinduara.

Bërnabiqi ka deklaruar në një postim në “Twitter” se “geto e fundit evropiane po legalizohet në këtë mënyrë”.

“Mos harroni këtë ditë. Kjo është dita kur legalizohet dhe legjitimohet getoja e fundit evropiane. Kjo është pasqyrë që realisht krijon shtetin e së drejtës dhe ‘imitojnë’ zgjedhjet demokratike në Kosovë, të cilat mbështeten nga BE-ja dhe Quint-i”, ka shkruar Bërnabiqi.

Më tutje, ajo ka ironizuar  edhe me thirrjen e OSBE-së për zgjedhjet në veri  të Kosovës.

“OSBE keni parasysh dhe sigurohuni që t’ua rekomandoni këtë të tjerëve si shembullin më të mirë: mbajtjen e zgjedhjeve në kontejnerë të përkohshëm nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të forcave të armatosura. Zgjedhje të lira dhe të ndershme, me forca të armatosura dhe mjete të blinduara! Kjo është Evropa, në shekullin 21”, ka  shkruar ajo  edhe  pse është plotësisht e vetëdijshme se këto masa janë marrë pikërisht për shkak të kërcënimeve që kanë ardhur nga regjimi i shtetit të saj nëpërmes të kriminelëve lokalë.

Ajo e ka quajtur procesin zgjedhor “një maskarallëk”, duke thënë se ishte rezultat i atyre që e përkrahën Kosovën dhe kushtetutshmërinë e saj.

“Kjo tani po bëhet një normë e re demokratike, e prezantuar dhe e mbështetur nga krijuesit e Republikës së Kosovës. Në fund të këtij “maskarallëku”, këto lloj zgjedhjesh, në këto kushte, konsiderohen normale nga hipokritët që ushqejnë një republikë të tillë”, ka thënë ajo, duke akuzuar edhe ndërkombëtarët për moszbatimin e marrëveshjes së Brukselit.

“Të njëjtit që ndërmjetësuan dhe garantuan 10 vjet më parë Marrëveshjen e Brukselit, të cilën në fakt nuk e kishin planifikuar kurrë ta zbatonin. Ndjehuni krenar! Festoni arritjet tuaja sot. Shijoni lavdinë e asaj që keni krijuar!”, ka përfunduar kryeministrja e Serbisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Albulena Keqekolla shpall të pavlefshme diplomën e lëshuar nga Shkolla…