BETEJA PËR RAHOVECIN NJË NDËRMARRJE LEGJITIME E GUXIMSHME

17 korrik 2023 | 23:25

Nga: Smajl Latifi

Në histori ndodh shpeshherë që një datë apo ditë e zakonshme të bëhet ngjarje referente. Beteja për Rahovecin në korrikun përvëlues të vitit 1998 përbën një ndër zhvillimet më të bujshme të periudhës së luftës tonë çlirimtare.

Shtrirja e shpejtë e UÇK-së në rajonin e Anadrinisë dhe përmasa kombëtare e kësaj lufte qenë refleksion i një periudhe të gjatë të shtypjes e represionit serb. Dëshira për liri dhe gatishmëria për flijime e popullit shqiptar ishte dëshmi e stërmundimit dhe dhunës së shfrenuar serbe mbi shqiptarët.

Dhe në çastin kur dhuna kulmon duke marrë përmasa shfarosëse e gjenocidi, atëherë qëndresa bëhet imperativ dhe lufta e pahmangshme.
Populli shqiptar u detyrua të veprojë energjikisht ose të pajtohet me nënshtrimin dhe të vazhdojë të trokasë kancelarive të botës për të kërkuar drejtësi e liri. Fatbardhësisht gjithmonë këtij populli nuk i kanë munguar heronjtë dhe fuqia vepruese. Që me daljen e UÇK-së në Drenoc më 26 prill 1998, por edhe më herët në Drenicë e Dukagjin, përfundoi epoka e pritjes dhe e përgjërimeve. Burrat e gratë e kësaj ane u mobilizuan dhe i vunë shpatullat punës dhe për pak kohë në këto anë ndodhën zhvillimeve që ishin pritur me shekuj, prandaj edhe kjo epokë quhet EPOKA E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS. Zgjerimi i hovshëm i zonave të kontrolluara nga UÇK erdhi si rezultat i mbështetjes së madhe popullore. Kjo mbështetje konfirmoi një të vërtetë historike; lufta e UÇK-së mori dimensionin e një përpjekje kombëtare për çlirimin e trojeve të pushtuara shqiptare.

Aparati shtypës e represiv i Serbisë u vu në lëvizje dhe angazhoi të gjitha potencialet në dipozicion për të shtypur këtë revoltë me zjarr e me hekur. Njerëzit vriteshin e terrorizoheshin, Dora e Zezë e Serbisë rrëmbente njerëz që më pas gjendeshin të hedhur hendeqeve, përrojeve e luginave. Në këto rrethana pasigurie, UÇK marshoi guximshëm në qytetin e Rahovecit dhe provoi një ndërmarrje të rrezikshme e sfiduese, gjithnjë të bindur se pa përpjekje mbinjerëzore është e pamundur të arrihet liria.

Djemtë që e drejtonin formacionin ushtarak të Rahovecit atyre ditëve të korrikut ’98; Gëzim Hamza – Piktori, Avdullah Bugari, Mizahir Isma e të tjerë, u vunë në lëvizje dhe për pak orë arritën ta vënë nën kontroll një pjesë të madhe të qytetit të Rahovecit. Përparimi kaq i shpejtë i UÇK-së i alarmoi drejtuesit e Policisë e të Ushtrisë serbe, të cilët e vunë në zbatim planin e gatshëm për vrasjen e persekutimin e banorëve të Rahovecit. Përdorimi i artilerisë së rëndë, fluturakeve ushtarake dhe makinerisë së rëndë ushtarake, dëshmoi se serbët nuk do të linin mjet e metodë pa përdorur vetëm që ta mbajnë Kosovën nën pushtim.

Në këtë mënyrë u dëshmua se lufta e UÇK-së dhe përpjekja për çlirimin e Rahovecit e të Kosovës ishte një veprim legjitim dhe i domosdoshëm.
Ndonëse raporti i forcave ishte në disfavorin tonë, beteja për Rahovecin konfirmoi se lufta kishte hyrë në një fazë kur nuk kishte më kthim parapa dhe as që mund të bëhej kurrfarë kompromisi me lirinë e Kosovës. Humbja e shumë jetëve të njerëzve të pafajshëm e të pambrojtur shpërfaqi politikën gjenocidale të Serbisë.

Në luftimet e korrikut 1998, në përpjekje për t’i shporrur hordhitë serbe duke e mbrojtur qytetin, në pozicione të ndryshme, ndërmjet datave 17 dhe 26 korrik, ranë trimërisht luftëtarët e lirisë:

1. Abdullah Zijajdin Bugari,
2. Agim Binak Çelaj,
3. Agim Veli Kelmendi,
4. Afrim Fazli Krasniqi,
5. Arian Xhemil Brahimi,
6. Bajram Hysen Veliu,
7. Bekim Shaban Isma,
8. Eshrefedin Rexhep Kastrati,
9. Faik Hajredin Rama,
10. Gani Xhemë Paçarizi,
11. Gëzim Salih Hamza,
12. Gëzim Fahredin Mullabazi,
13. Habib Halil Berisha,
14. Hamdi Sadri Berisha,
15. Liman Destan Gegaj,
16. Mizahir Jetullah Isma,
17. Ramadan Morina,
18. Remzi Sadri Ukshini,
19. Ruzhdi Xhemë Xhuliqi,
20. Sadik Hafir Shala,
21. Shkelzim Halit Zllanoga,
22. Samir Selim Nurkasa,
23. Tafil Zyberaj,
24. Xhafer Zenel Nurkasa dhe
25. Xhevat Ymer Kasapi.

Në mesin e tyre, pikërisht në vendin ku AI shërbeu me devotshmëri, në institucionin fetar-Teqeja e Madhe në Rahovec, barbaria serbe s’e kurseu, madje as SHEJH MYHEDININ, personalitetin e respektuar në Rahovec e më gjerë, tani HERO i Kosovës.

Mbi këtë gjak të derdhur rrugëve të Rahovecit lindi liria jonë – liri që lëshoi rrënjë thellë në tokë dhe që tregoi se synimet e popujve liridashës kalojnë nëpër tragjedi të rënda. Teksa sot shohim përmendore, varreza e komplekse përkujtimore e historike e kuptojmë çmimin e lartë që e kemi paguar dhe për nevojën e ruajtjes e të kultivimit me fanatizëm që kësaj trashëgimie. Jemi të bindur se historia do ta vlerësojë mundin, kontributin dhe gjakun e derdhur të bijve e bijave të këtij vendi dhe se e ardhmja do të ndërtohet mbi themelet e forta të kësaj sakrifice madhore të popullit të Rahovecit dhe ushtarëve të UÇK-së.

Lavdi!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të vizitës në Gjermani, kryetari i AAK-së, Ramush…