Bideni i kërkon Izraelit t’i mbrojë civilët e Rafahut

13 shkurt 2024 | 08:29

Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, ka thënë se ofensiva izraelite në Rafah “nuk duhet të vazhdojë pa një plan të besueshëm për të garantuar sigurinë” e më shumë se një milion palestinezëve të strehuar atje.

Ai shtoi se shumë njerëz të zhvendosur në qytetin jugor të Gazës ishin “të ekspozuar dhe të cenueshëm” dhe se duhej të mbroheshin.

Një mjek palestinez në Rafah i tha BBC-së se njerëzit po jetonin me frikë.

Shefi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Volker Türk, deklaroi se çdo sulm do të ishte “i tmerrshëm” dhe shumë civilë “mund të vriten”.

Javën e kaluar, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftoi se kishte urdhëruar trupat të përgatiteshin për të zgjeruar operacionin tokësor në Rafah. Ai u zotua se do të mundte të armatosurit e Hamasit të fshehur në qytet.

Rafah ka qenë nën sulme të rënda ajrore izraelite ditët e fundit, me një numër viktimash të raportuara.

Më shumë se gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Rripit të Gazës tani është grumbulluar në qytetin në kufi me Egjiptin, i cili ishte shtëpia e vetëm 250,000 njerëzve përpara se të shpërthente lufta midis Izraelit dhe Hamasit në tetor.

Shumë nga njerëzit e zhvendosur jetojnë në strehimore të improvizuara ose tenda në kushte të mjerueshme, me qasje të pakët në ujë të pijshëm ose ushqim të sigurt.

Presidenti Biden bëri thirrje përsëri për mbrojtjen e civilëve të Rafahut pas takimit të tij me Mbretin e Jordanisë Abdullah në Uashington të hënën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) në kuadër të veprimeve të…