Bideni kërkon edhe një mandat presidencial

25 prill 2023 | 12:32

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka njoftuar se do të garojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Ai këtë njoftim e  ka bërë i përmes një videoje promovuese.

Në videon prej tre minutash, Bideni, presidenti i 46-të i ShBA-së, ka thënë se të drejtat e abortit, mbrojtja e demokracisë, të drejtat e votimit dhe siguria sociale do të jenë çështjet më kryesore gjatë garës presidenciale të vitit 2024.

Ai ka thënë se votuesit do të përballen me zgjedhjen mes asaj nëse gjenerata e re do të ketë “më shumë apo më pak liri”dhe “më shumë apo më pak të drejta”.

“Çdo gjeneratë e amerikanëve është përballur me një moment kur janë dashur të mbrojnë demokracinë, të ngrihen për të drejtat e tyre personale, të ngrihen për të drejtat e votimit dhe të drejtat civile. Ky është momenti ynë”, ka thënë Bideni.

Për dallim nga slogani i fushatës zgjedhore të vitit 2020, kur Biden tha se amerikanët ishin “në betejë për shpirtin” e kombit, slogani për zgjedhjet e vitit 2024 thotë: “Le ta çojmë punën deri në fund”.

Nëse rizgjidhet, Bideni do të ishte 86-vjeçar në fund të mandatit të dytë presidencial. Ai pritet të përballet me një garë të lehtë brenda partisë së tij, pasi nuk ka rivalë seriozë në mesin e Partisë Demokratike. Megjithatë, ai ka një detyrë të vështirë për të vazhduar që të mbajë mandatin presidencial në një shtet të ndarë, raporton “Rel”.

“Liria, liria personale është thelbësore për ne amerikanët. Nuk ka asgjë më të rëndësishme, asgjë më të shenjtë”, ka thënë Bideni në video-adresim.

Bideni e ka përshkruar Partinë Republikane si “ekstremiste”, që sipas tij po tenton të heqë qasjen në të drejtën për abort, në sigurinë sociale, të kufizojë të drejtat e votimit dhe të ndalojë librat me të cilët ata nuk pajtohen.

“Në mbarë vendin, ekstremistët MAGA (mbështetësit e ish-presidentit amerikan, Donald Trump) janë rreshtuar për të na i hequr liritë”, ka thënë Bideni.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, më herët ka shpallur kandidaturën e tij për garën presidenciale. Trump kishte humbur garën zgjedhore ndaj Bidenit më 2020.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Pranimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e…