Weberi: Marrëveshja e Ohrit në mes të Kosovës dhe Serbisë ka filluar të zbatohet

25 prill 2023 | 12:27

“Pranimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është vendim i pritshëm, pas marrëveshjes së arritur në Ohër”.

Kështu ka deklaruar Bodo Weber, analist politik nga Berlini, në një lidhje të drejtpërdrejtë për “RTK”-në, në kuadër të programit të mëngjesit.

Ai ka thënë se edhe më herët dihej se shtetet perëndimore e kishin bllokuar kërkesën për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Megjithatë, sipas tij, mosbllokimi i anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare është pjesë e marrëveshjes së Brukselit, prandaj ky është vetëm hapi i parë i propozimit evropian të dakorduar, por të pa nënshkruar nga Ohri.

Weberi ka shtuar se pranimi i Kosovës në anëtarësim në Këshillin e Evropës  do të nënkuptonte zhbllokimin e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në organizata të tjera ndërkombëtare.

“Do të ishte fillimi i zbatimit të propozimit evropian për Kosovën, përkatësisht marrëveshjes së Ohrit”.

“Këtë rrugë paraprakisht e kanë bllokuar disa shtete perëndimore, përfshirë edhe Gjermaninë, derisa u pranua kjo marrëveshje, dhe po ashtu pamë këto ditë që Parlamenti Evropian zhbllokoi liberalizimin e vizave për Kosovën, e cila dihej se do të ishte e bllokuar nga BE-ja deri në pranimin e marrëveshjes ”, ka thënë Weberi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndonëse afati i fundit për deklarimin e pasurisë për vitin…