Bie dukshëm niveli i liqeneve akumuluese, Abdullahu apelon për kursim të ujit

10 gusht 11:37

Kryeshefi Ekzekutiv i “KRU Prishtina”, Ilir Abdullahu, ka bërë të ditur se si pasojë e temperaturave të larta është rritur kërkesa për ujë dhe në këtë mënyrë ka rënë edhe niveli në liqenet akumuluese.

Sipas tij, në liqenin akumulues në Badovc, niveli i ujit ka rënë për 6 metra, ndërsa në atë të Batllavës 5.5 metra.

Ai ka apeluar te të gjithë konsumatorët që të kursejnë ujin dhe të mos e keqpërdorin, në të kundërtën mund të ballafaqohen me ndërprerje masive.

“Në këto ditë vere me temperatura të larta, kemi rënie të niveleve në Batllavë, diku prej 5.5 metra kub, ndërsa në Badovc 6 metra. Jemi në atë periudhë ku uji duhet të menaxhohet edhe nga ne edhe nga konsumatorët që të kalohet kjo kohë, pasi që ka pas reshje të pakta dhe kemi pas mungesa të borës dhe shiut. Por tani për tani apelojmë që të ruhet uji i pijes dhe mos të keqpërdoret”, ka deklaruar ai për “EO”. Abdulluahu bën të ditur se vetëm brenda një dite shpenzohen rreth 150 mijë metër kub uji, përkthyer në vit, mund të shkojë 53 milionë metër kub.

“Shpenzimet e ujit gjatë ditës në stinën e verës është 150 mijë metra kub ditor jemi duke prodhuar dhe në fund të vitit do të arrijmë deri në 53 milionë metër kub,dhe është një sasi e madhe e cila prodhohet dhe i shkon konsumatorëve. Por një pjesë e madhe e ujit shkon në forma të ndryshme të keqpërdorimit, ndërsa një pjesë e madhe e ujit shkon edhe për shkak të infrastrukturës së vjetër, dhe ujësjellësi vetëm se ka në plan rrjetat për rehabilitim të ujit”, u shpreh ai.

Kryeshefi i “Ujësjellësit Prishtina” apelon tek të gjitha institucionet që të marrin masat e duhura për mbrojtjen e resurseve ujore, sidomos në këtë periudhë kur reshjet atmosferike janë të pakta.

“Kosova nuk ka resurse të bollshme të ujit të pijes, zakonisht akumulacionet tona varen prej reshjeve të borës dhe të shiut. Pikërisht duhet të merren masa për këto resurse ujore, që këto resurse të mirë menaxhohen dhe të mendohet në planifikimin e resurseve të tashme të akumulacioneve të reja pasi që vetëm atëherë do ta kishim një siguri më të madhe në furnizim me ujë të pijes, mirëpo edhe për furnizime të tjera si në bujqësi dhe industri. ”Apeli jonë është që uji i pijes të ruhet dhe të përdoret për qëllimet që është i dedikuar, ka thënë ai.

Abdullahu ka bërë të ditur se borxhi i konsumatorëve ndaj kësaj kompanie ka arritur në 47 milionë euro.

Ai ka apeluar te të gjithë konsumatorët që të bashkëpunojnë me kompaninë që ai drejton në mënyrë që të arrijnë marrëveshje për kryerjen e obligimeve, në të kundërtën do të detyrohen të marrin masa konform ligjit.

“Shuma e borxheve të konsumatorëve është diku rreth 47 milionë, dhe është një shumë e akumuluar që nga paslufta e deri më sot. Është një shumë e madhe ku konsumatorët nuk kanë qenë të gatshëm që të kryejnë obligimet që kanë ndaj ujësjellësit dhe ne dëshirojmë që kjo mos të shkojë më tutje në ngritje, por këto borxhe konsumatorët ti shlyejnë në bazë të obligimeve që kanë dhe marrëveshjeve me ujësjellësin për arsye se vetëm konsumatorët janë ata që mund ta mbajnë në situatë në kontroll. Por, Kosova duhet të ketë kujdes që së bashku me qeveritë lokale që të menaxhohet mirë situata e cila në pret vitet në vazhdim. Gjithmonë në konform me ligjin do të marrim masa, si të shkyçjes dhe parandalimit. Departamentet përkatëse punojnë në këtë drejtim por numri i keqpërdoruesve është shumë i madh”, thotë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj, kujtoi 21-vjetorin e rënies së…