Bilall Sherifi: Heqja e taksës kthim në rrugën e koncesioneve të vazhdueshme ndaj Serbisë

29 janar 2019 | 12:33

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka komentuar propozimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli për pezullim të taksës për produktet serbe e boshnjake.

Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se heqja e taksës pa u hequr arsyet e vënies, inkurajon Serbinë të vazhdojë agresionin e gjithanshëm mbi Kosovën.

“Prandaj, qoftë pezullimi, qoftë heqja e taksës 100% pa u hequr asnjë nga arsyet që e kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës për ta marrë këtë vendim është kthim mbrapa, kthim në rrugën e vjetër, në rrugën e koncesioneve të vazhdueshme ndaj Serbisë, rrugë e cila është dëshmuar si e gabuar!”, ka shkruar Sherifi.

Postimi i plotë i tij:

Heqja e taksës pa u hequr arsyet e vënies, inkurajon Serbinë të vazhdojë agresionin e gjithanshëm mbi Kosovën!

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës mbi bazë të propozimit gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit, Kosova, përballë agresionit të vazhdueshëm të Serbisë, ka ndjekur rrugën e lëshimit pe, rrugën e ikjes nga ballafaqimi, duke mos i mbrojtur interesat e saj ashtu siç do t’i mbronte çdo shtet tjetër i pavarur dhe sovran!

Prandaj, qoftë pezullimi, qoftë heqja e taksës 100% pa u hequr asnjë nga arsyet që e kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës për ta marrë këtë vendim është kthim mbrapa, kthim në rrugën e vjetër, në rrugën e koncesioneve të vazhdueshme ndaj Serbisë, rrugë e cila është dëshmuar si e gabuar!
Ndjekja e rrugës së vjetër sjellë rezultatin e njëjtë. Madje, ajo rrugë vetëm sa do ta trimërojë Serbinë të vazhdojë me intensitet të shtuar agresionin e gjithanshëm mbi Kosovën!

Nëse do të më duhej të zgjidhja mes qortimit nga SHBA-të për shkak të mos heqjes së taksës 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, apo nënshtrimit ndaj Serbisë duke hequr taksën pa u hequr arsyet që kanë çuar në vënien e saj, pa u menduar fare do të zgjidhja të parën!

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, ka  kërcënuar  se…