Bilall Sherifi: Lajçaku të qëndrojë edhe në deklarimet publike brenda asaj që kërkon në takime

18 tetor 2020 | 17:47

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka kundërshtuar deklaratën e emisarit të BE-së në dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për ta ndryshuar Kushtetutën e Kosovës për ta implementuar asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ai ka deklaruar se në takimin që i dërguari i BE-së ka pasur me liderin e Nismës Socialdemokrate nuk e ka thënë një gjë të tillë.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Sherifi ka thënë se Lajçaku duhet të qëndrojë edhe në deklarimet publike brenda asaj që kërkon në takime. “Konsideroj se z. Lajçak si lehtësues/ndërmjetësues i dialogut në deklarimet publike duhet të qëndrojë brenda asaj që ka kërkuar në takime dhe jo diçka tjetër të kërkojë në takime dhe diçka tjetër të deklarojë në publik”, ka deklaruar Sherifi.

Ai ka treguar se Lajçaku në takim me zyrtarët e Nismës Socialdemokrate ka thënë se asociacioni duhet të themelohet mbi bazën e marrëveshjes së vitit 2013 dhe mbi bazën e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. “Në këtë takim, përveç të tjerave, është diskutuar edhe për çështjen e asociacionit, por aty z. Lajçak nuk deklaroi që duhet ndryshuar Kushtetuta e Kosovës. Përkundrazi, ai, që në hyrje të fjalës së tij deklaroi që asociacioni duhet të themelohet mbi bazën e marrëveshjes së vitit 2013 dhe mbi bazën e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje”, ka vlerësuar ai.

Sherifi ka bërë me dije se Kosova duhet ta ofrojë asociacionin sipas marrëveshjes së vitit 2013 për njohje.

“Qëndrimi i z. Limaj lidhur me asociacionin ishte i qartë, ai jo vetëm që duhet të formohet në bazë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por nuk mund të ketë asociacion as si të tillë pa njohjen e Kosovës nga Serbia. Pra, asociacioni për njohje, apo njohja për asociacion. Asgjë më pak”, është shprehur ai. Sipas tij, Lajçaky para se të kërkojë nga Kosova ta ndryshojë Kushtetutën duhet të kërkojë nga Serbia ta ndryshojë Kushtetutën e saj. “Sepse është Serbia ajo që territorin e një shteti tjetër të pavarur dhe sovran, të njohur nga më shumë se 100 shtete, e mban në Kushtetutë si pjesë të saj! Pa dyshim që, në funksion të transparencës, Qeveria e Kosovës, përveç reagimeve përmes kanaleve zyrtare, duhet të deklarohet edhe publikisht për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me dialogun”, është shprehur Sherifi.

“Epoka e re”: Z. Sherifi, emisari i BE-së në dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se mund të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës për ta implementuar asociacionin e komunave me shumicë serbe. Si e keni parë këtë deklarim të tij?
Bilall Sherifi: Siç e dini edhe ju, z. Miroslav Lajçak para se të shkojë në Beograd ishte në Prishtinë dhe në kuadër të takimeve me drejtues të partive politike u takua edhe me kryetarin Nismës Socialdemokrate, z. Fatmir Limaj. Në këtë takim kemi marrë pjesë unë dhe zëvendëskryeministrja, znj. Albulena Balaj Halimaj. Në këtë takim, përveç të tjerave, është diskutuar edhe për çështjen e asociacionit, por aty z. Lajçak nuk deklaroi që duhet ndryshuar Kushtetuta e Kosovës. Përkundrazi, ai, që në hyrje të fjalës së tij deklaroi që asociacioni duhet të themelohet mbi bazën e marrëveshjes së vitit 2013 dhe mbi bazën e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. Qëndrimi i z. Limaj lidhur me asociacionin ishte i qartë, ai jo vetëm që duhet të formohet në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por nuk mund të ketë asociacion as si të tillë pa njohjen e Kosovës nga Serbia. Pra, asociacioni për njohje, apo njohja për asociacion. Asgjë më pak! Prandaj, konsideroj se z. Lajçak si lehtësues/ndërmjetësues i dialogut në deklarimet publike duhet të qëndrojë brenda asaj që ka kërkuar në takime dhe jo diçka tjetër të kërkojë në takime dhe diçka tjetër të deklarojë në publik.

“Epoka e re”: Kjo ka nxitur reagime të shumta në shoqëri, por qeveria ende nuk ka reaguar. A është dashur të reagojë qeveria?
Bilall Sherifi: Reagimet që kanë ardhur nga të gjitha anët janë të drejta sepse z. Lajçak, para se të kërkojë nga Kosova ta ndryshojë Kushtetutën, duhet të kërkojë nga Serbia ta ndryshojë të sajën. Sepse është Serbia ajo që territorin e një shteti tjetër të pavarur dhe sovran, të njohur nga më shumë se 100 shtete, e mban në kushtetutë si pjesë të sajën! Padyshim që, në funksion të transparencës, Qeveria e Kosovës, përveç reagimeve përmes kanaleve zyrtare, duhet të deklarohet edhe publikisht për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me dialogun.

“Epoka e re”: Përsëri Kosova nuk po arrin një konsensus për dialogun me Serbinë. Cila duhet të jetë qasja e institucioneve të Kosovës ndaj kësaj faze të dialogut?
Bilall Sherifi: Jemi në përfundim të dekadës së parë të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe, fatkeqësisht, vazhdon qasja e gabuar e deritashme pozitë-opozitë lidhur me dialogun me Serbinë. Prej fillimit të dialogut partitë politike çështjen e dialogut e kanë trajtuar jo nga këndvështrimi i interesit shtetëror, por nga këndvështrimi i interesit partiak. Kur janë në pushtet marrin pjesë në dialog, kur janë në opozitë refuzojnë të marrin pjesë!

“Epoka e re”: Përveç procesit të dialogut me Serbinë̈, Kosova po përballet edhe me Gjykatën Speciale. Me këtë shumicë që ka, a do të mund të përballet kjo qeveri me këto procese, apo do të jetë i nevojshëm zgjerimi i koalicionit qeverisës?
Bilall Sherifi: Nisma është deklaruar disa herë që vendit i duhet një qeveri me bazë më të gjerë, por mendoj që iniciativa për këtë çështje i takon bartësit të koalicionit, partisë që ka marrë mandatin nga presidenti për të formuar qeverinë, përkatësisht kryetarit të LDK-së, z. Isa Mustafa dhe kryeministrit të qeverisë, z. Avdullah Hoti.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Grupi muzikor “The Flaming Lips” janë shfaqur në një performancë…