Bisedimet me Kremlinin, në ‘interes’ të ShBA-së

08 nëntor 2022 | 11:47

Këshilltari për siguri kombëtare i ShBA-së, Jake Sullivan, e ka konfirmuar se linjat e komunikimit në mes të ShBA-së dhe Rusisë mbeten të hapura, përkundër luftës në Ukrainë, raporton “BBC”.

Sullivani ka thënë gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork të hënën, se është “në interesat” e Uashingtonit të mbajë kontakt me Kremlinin.

Komentet e Sullivanit vijnë pas një lajmi nga gazeta amerikane “The Wall Street Journal” më 6 nëntor, ku thuhej se ai kishte zhvilluar bisedime, që nuk u bënë publike, me zyrtarë të lartë rusë me shpresën se do të ndikojë në uljen e rreziqeve të përshkallëzimit të pushtimit rus të Ukrainës në një konflikt nuklear.

Paraprakisht, “The Washington Post” kishte raportuar se Uashingtoni po e inkurajonte privatisht Ukrainën të sinjalizonte se është e hapur ndaj negociatave me Rusinë, pasi Departamenti i Shtetit thoshte se Moska po e përshkallëzonte luftën dhe nuk dëshironte me të vërtetë të përfshihej në bisedime për paqe.

“The Washington Post”, duke cituar burime anonime, raportonte se kërkesa e zyrtarëve amerikane nuk kishte qëllim ta shtynte Ukrainën drejt tavolinës së negociatave, por ishte një tentim i kalkuluar për t’u siguruar që Kievi ta ketë edhe më tutje mbështetjen e vendeve të tjera.

Sullivani ka thënë, gjatë një eventi publik në Nju Jork, se administrata e Bidenit e ka “obligim të kërkojë llogaridhënie” dhe premtoi se do të punojë me partnerë ndërkombëtarë për t’i “vënë para përgjegjësisë autorët e krimeve të rënda dhe groteske të luftës në Ukrainë për atë që kanë bërë”, raporton “BBC”.

Sullivani ka udhëtuar në Kiev më 4 nëntor dhe e premtoi mbështetjen e palëkundshme të Uashingtonit për Ukrainën.

Vizita e paralajmëruar e tij ka përkuar me lajmin e po asaj dite nga Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së për një tjetër furnizim me armë për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh.

“Unë isha në Kiev të premten dhe e pata mundësinë t’i takoja presidentin (Volodymyr) Zelensky dhe kolegun tim Andriy Yermak, së bashku me udhëheqësit ushtarak, dhe u njoftova për nivelin e vdekjeve dhe shkatërrimit që ka shpërthyer nga lufta e Putinit në atë vend”, është cituar të ketë Sullivan nga “BBC”, më 7 nëntor.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, nuk ka pranuar t’i komentonte këto raportime të mediave amerikane.

“I kam parë ato lajme. Kështu që, ju e dini… dhe shikoni, njerëzit pretendojnë shumë gjëra për bisedat që ne… që ShBA-ja i bën ose nuk i bën. Unë nuk kam asnjë bisedë specifike për t’ua lexuar juve”, ka thënë Jean-Pierre gjatë një konference më 7 nëntor.

Zelensky e ka nënshkruar një dekret më 4 tetor duke i deklaruar formalisht “të pamundura” negociatat me presidentin rus, Vladimir Putin, por duke e lënë derën hapur për bisedime me Rusinë.

Sipas “The Wall Street Journal”, Sullivani kishte zhvilluar bisedime konfidenciale gjatë muajve të fundit me këshilltarin për politikë të jashtme në Kremlin, Yury Ushakov, dhe sekretarin e Këshillit të Sigurisë të Rusisë, Nikolai Patrushev – bisedime këto që nuk iu bënë të ditura publikut.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë gazetarëve më 7 nëntor se përderisa Rusia mbetet “e hapur” ndaj bisedimeve, e ka të pamundur të negociojë me Kievin shkaku i refuzimit të ukrainasve për të negociuar me Rusinë. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës ka njoftuar për takimin që ka pasur…