Qeveria lëshon njoftim për takimin e Kurtit me opozitën

08 nëntor 11:45

Qeveria e Kosovës ka njoftuar për takimin që ka pasur sot kryeministri Albin Kurti me liderët e opozitës.

Sipas njoftimit të qeverisë, në këtë takim të ftuar pas zhvillimeve të fundit në vend e sidomos në veri të vendit, u diskutua për situatën aktuale në Republikën e Kosovës.

“Kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, ligjshmërisë, kushtetutshmërisë, paqes dhe sigurisë, dhe se është në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim. U theksua aleanca me partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian e NATO-n, dhe komunikimi e bashkërendimi në shërbim të paqes, e në ruajtje të rendit publik dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, theksohet në njoftim.

Thuhet se kryeministri Kurti i falënderoi liderët e partive opozitare që iu përgjigjen pozitivisht ftesës për takim dhe diskutim.

“Krerët opozitarë shprehen mbështetjen ndaj qeverisë për respektimin e ligjshmërisë në të gjithë Republikën e Kosovës”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.

Në këtë takim me Kurtin ishin kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i shoqëruar nga Bedri Hamza, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i shoqëruar nga Lutfi Haziri, si dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga Ardian Gjini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dje janë arrestuar dy meshkuj dhe dy femra në Fushë…