Bislimi: Faj për moszbatimin e marrëveshjes së energjisë ka edhe Brukseli

08 shkurt 2023 | 16:44

“Një pjesë bukur të madhe të fajit për moszbatimin e Marrëveshjes  (së energjisë) e ka vet Brukseli… që kanë dërguar sinjale të gabueshme të Elektroseveri përmes interpretimeve të gabueshme të neneve që nuk kanë të bëjnë asgjë më Udhërrëfyesin”.

Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Bislimi në një konferencë për media, kur është pyetur se ku ka mbetur zbatimi i Udhërrëfyesit për zbatimin e Marrëveshjes për energji, që Kosova dhe Serbia e kishin nënshkruar më 21 qershor 2022.

Ndërsa marrëveshja ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Sipas Bislimit, kompania serbe – Elektrosever,  që do të furnizojë dhe faturojë energjinë në veri, thirret në një marrëveshje të cilën ka thënë se e ka nënshkruar në Stamboll të Turqisë me Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS), e që sipas tij, nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjet e Brukselit.

Më 9 gusht, Bashkimi Evropian e ka pranuar se ka vonesa në zbatimin e Udhërrëfyesit, duke thënë se përgjegjësia përfundimtare për zbatimin e saj “mbetet në duart e palëve”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, ka thënë gjatë konferencës se “e vetmja palë që në plotni i ka pambushur obligimet që dalin nga ky udhërrëfyes është Qeveria e Kosovës, e cila e ka licencuar Elektroseverin”.

Elektrosever, pronë e kompanisë energjetike të Serbisë – EPS, ka marrë licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor të vitit 2022.

Bislimi ka përmendur edhe të paktën tri pika që ende nuk janë pambushur, e që sipas tij, janë përgjegjësi e Elektroseverit.

E para, dërgimi i të dhënave të plota të konsumatorëve nga Elektroseveri, gjë që sipas tij nuk ka ndodhur deri sot, përveç “disa të dhënave të falsifikuara që janë dërguar pas 100 ditësh”.

Gjithashtu, ai ka thënë se nuk është nënshkruar kontrata kornizë në mes të KEDS-it dhe Elektrosever-it, si dhe marrëveshja që KEDS-i dhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë (KOSTT) të kenë qasje të vazhdueshme dhe përhershme në Vallaç.

Në pikën e dytë të Udhërrëfyesit përmendet lëshimi i licencës për furnizim, Elektroseveri do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat e fundit të disponueshme për konsumatorët, nëpërmjet BE-së.

Në pikën e tretë të Udhërrëfyesit thuhet se Elektroseveri do të nënshkruajë teknikalitet e nevojshme të marrëveshjes me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës.

Pra, Marrëveshja kornizë për pranimin e rregullave të tregut të energjisë elektrike me KOSTT-in, Marrëveshja mbi detyrimin e bilancit me KOSTT-in, Marrëveshjen e kyçjes me KEDS-in dhe një Marrëveshje komerciale me KEDS-in për ofrimin e shërbimeve të distribucionit (faturimi, arkëtimi, mirëmbajtja dhe lidhja fizike e konsumatorëve të rinj) në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Në pikën e pestë të Udhërrëfyesit thuhet se pas marrjes se licencës për furnizim, KEDS dhe KOSTT (nën lehtësimin e BE-së, nëse ka nevojë) do të kenë qasje te nënstacioni i Vallaçit, si dhe në infrastrukturën tjetër për shpërndarje, raporton “Rel”.

Nënstacioni elektrik në Vallaç është një prej pikave e cila i furnizon me energji elektrike katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe hidrocentralin e Ujmanit (Gazivodës), si dhe i takon rrjetit të shpërndarjes së Kosovës edhe sipas Marrëveshjes së Brukselit për energjinë të vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015.

Me këtë marrëveshje synohet të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Qytetarët e këtyre komunave që nga viti 1999 nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar. Përgjatë viteve, borxhi i tyre është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.

Llogaritet se fatura e përgjithshme e konsumatorëve për energji në veri shkon deri në 12 milionë euro në vit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Piloti monogask i Ferrari, Charles Leclerc, përgatitet për sezonin e…