Bislimi: Serbia nuk ka gatishmëri për një marrëveshje për targat

21 prill 2022 | 18:02

Ka përfunduar takimi në Bruskel mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, për çështjen e targave dhe zbatimin e marrëveshjeve të kaluara.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, në një konferencë për media tha se me palën serbe nuk kanë arritur marrëveshje pasi sipas tij, ka zero gatishmëri nga pala serbe për të gjetur një zgjidhje të përhershme.

“Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draf-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit”, deklaroi Bislimi.

Mediat në Serbi kanë raportuar se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për shkëmbimin e të dhënave arkivore, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga delegacioni i Kosovës në Bruksel.

Duhet theksuar se më 20 shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës kishte vendosur masën e reciprocitetit për targat serbe, që nënkuptonte se me të hyrë në territorin e Kosovës veturat me targa serbe, duhet të merrnin targa provuese.

Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar dialog për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve që nga viti 2011.

Deri më tani janë nënshkruar mbi 30 marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar në terren.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës ka njoftuar të gjithë qytetarët e Prishtinës…