Bislimi vendimin e Kushtetueses për dekretin e presidentit e ndërlidhë me ekipin e juristëve të presidentit

30 maj 2020 | 10:15

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka shprehur dyshimet e tij se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili i jep të drejtë presidentit në dekretin për nominimin e Avdullah Hotit mandatar për formimin e Qeverisë së Kosovës, është bërë në bashkëpunim ndërmjet institucionit të presidentit dhe gjykatës.

Bislimi, në një shkrim publikuar në “Facebook”, ka thënë se “ekipi i juristëve i zyrës së presidentit të vendit, përmes një njoftimi të postuar në faqen e internetit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës më datën 28 maj, konstatoi që Kushtetuta e Kosovës është në harmoni të plotë me parimet bazë dhe frymën e shprehur në dekretin e presidentit të vendit të datës 30 prill, që e nominon z. Hoti si mandatarë për formimin e qeverisë së re”, transmeton ‘Epoka e re’.

“Mësohet që ky dokument është draftuar pak orë para publikimit të dekretit të presidentit të vendit në pasditen e 30 prillit. Menjëherë pas publikimit të dokumentit, presidenti i vendit përmes një konference për media iu falenderua gjykatës kushtetuese për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndër vite”, ka shkruar Bislimi.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e marrë më 28 maj i ka hapur rrugën formimit të një qeverie të re me shtatë vota për dhe dy kundër dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e qeverisë.

Kushtetuesja ka konstatuar se dekreti i presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë nuk rezulton me shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një qeverie të re në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Informacionet për vlerat shëndetësore të mjaltit dhe kosit janë të…