BLLACA, HOLOKAUSTI SHQIPTAR

02 nëntor 2018 | 16:04

Shkruan: Prof. dr. Skender ASANI

Në vitin 2019 do të jemi në 20-vjetorin e luftës së Kosovës!

Viti 1999 mbahet mend edhe me sulmet e NATO-s, me krizën humanitare të civilëve dhe me krizën e refugjatëve, që kulminoi me shtatë ditët e qëndrimit në qiell të hapur, në hapësirën ndërkufitare në Bllacë, të kosovarëve të përndjekur nga regjimi i Millosheviqit!

Është koha të flasim për këtë moment të rëndësishëm historik dhe t’i vëmë gishtin kokës, për të menduar për shënimin e këtij 20-vjetori, por edhe për përkujtimin e asaj golgote.

Ngjarja e pranverës së vitit 1999, kur më 24 mars filluan sulmet e NATO-s mbi caqet ushtarake serbe, përfundimisht ndryshoi edhe politikën globale.

Guximi i presidentit Klinton dhe kryeministrit Bler, që të ndërmerren sulme ajrore dhe të pengohet përsëritja e Srebrenicës edhe në Kosovë, ishte çasti i parë kur NATO do të reagojë me kohë e vendosmëri dhe shpëtoi një popull të tërë nga shfarosja fizike (holokausti).

Dhe, ky është një moment që nuk mund të nëpërkëmbet dhe të merret dosido. E kur kësaj ngjarje globale ia shtojmë katastrofën humanitare të civilëve, që në fund të marsit të atij viti u përzunë dhunshëm nga vatrat e tyre, me synimin millosheviqian të pastrimit etnik të Kosovës, gjë që shkaktoi valë të paparë të refugjatëve në kufirin Kosovë-Maqedoni, ku janë shënuar edhe tragjedi të mëdha njerëzore, konsiderojmë se ky 20-vjetor meriton qasje serioze dhe të përkushtuar.

Prandaj, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, ka përgatitur një elaborat që do t’ua dorëzojë dy qeverive, asaj të Maqedonisë dhe të Kosovës, që përvjetori në fjalë të shënohet me inaugurimin e një qendre përkujtimore dinjitoze në pikën ku ndodhi katastrofa humanitare në Bllacë.

E kemi propozuar Bllacën jorastësisht dhe jo vetëm sepse aty është dëshmia faktike e vuajtjeve. Po, kjo është një pjesë e të vërtetës dhe nuk mund të mohohet. Bile, është jokorrekte që kjo të zëvendësohet me ndonjë pikë tjetër, siç mund të jenë kampet e refugjatëve në Stenkovec, Radushë, Çegran, Neproshten e gjetiu, sepse ato kanë qenë lagje të përkohshme që nuk janë esenca nuk kuptimin historik. Ato janë të rëndësishme vetëm si orbita të Bllacës, por pa Bllacën nuk kanë asnjë kuptim. Kjo sepse Bllaca është epiqendra e asaj vuajtjeje dhe eksodi masiv.

Derisa qëndronin në Bllacë, shqiptarët e Kosovës regjistruan vuajtje, vdekje, uri, të ftohtë, trysni psikike etj… Ata që e kalonin Bllacën, shpëtonin, dhe ata që nuk e kalonin, përfundonin!

Bllaca, atëbotë, u bë kufi jo ndërmjet shteteve, por ndërmjet jetës dhe vdekjes!

Përveç kësaj, duke qenë kjo katastrofë humanitare pikërisht në fund të shekullit XX, Bllaca mund të jetë metaforë edhe e të gjitha vuajtjeve të shqiptarëve nga viti 1913 e këndej.

Në Bllacë vuloset vuajtja e vaji dhe aty personifikohen shpërnguljet e shqiptarëve që kanë ndodhur gjatë gjithë shekullit. Aty është “Muri i vajtimit” të shqiptarëve për “Eksodin” që e përjetuan.

Nisur nga kjo, jam i mendimit se 20-vjetori i kësaj ngjarje nuk duron improvizime politike e karikaturime të çastit, por kërkon një qasje serioze shtetërore e shkencore. Pos kësaj, vendosja e kësaj qendre përkujtimore në Bllacë, do të duhet të shërbejë edhe si gurthemel i marrëdhënieve të mira të Maqedonisë dhe Kosovës, si peng kujtimi për atë ngjarje. Ajo pikë është jo vetëm guri i kufirit, por është edhe kujtesë se atëbotë Maqedonia – e gjetur ngushtë nga vala e madhe e refugjatëve, pas ndihmës ndërkombëtare – i hapi dyert dhe pranoi gati gjysmë milion njerëz.

Nëse sot në botë është i rëndësishëm një person që ka ndihmuar në shpëtimin e hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore, dhe emri i tij shënohet në qendrat më të rëndësishme përkujtimore të holokaustit të hebrenjve, atëherë ndihma që Maqedonia ia ka ofruar Kosovës, më saktë popullatës civile të Kosovës, ka qenë jetike për ta.

Prandaj, përveçse interes i shqiptarëve andej e këndej kufirit, ky është edhe një interes shtetëror, që mundëson marrëdhënie të mira ndërshtetërore.

Bllaca është metaforë e holokaustit shqiptar në shekullin XX.

(Autori është historian dhe drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gianluigi Buffon nuk ka aspak dyshime se Lionel Messi është…