‘Bllokimi i tërheqjes së ambasadorëve’, MPJD-ja paralajmëron hapa ligjor ndaj presidentit

28 maj 2020 | 13:26

Më 3 qershor bëhen dy muaj prej kur Glauk Konjufca si ministër i Punëve të Jashtme dhe të Diasporës (MPJD) kishte kërkuar tërheqjen e shtatë ambasadorëve kosovarë nga misioni diplomatik.

Por prej atëherë kjo çështje ka mbetur në dorën e presidentit Hashim Thaçi.

Kreshnik Ahmeti, këshilltar i Konjufcës, ka thënë për “Klan Kosova” se janë duke shqyrtuar ndërmarrjen e hapave ligjor në këtë drejtim.

“Propozimet e ministrit Konjufca për kthimin e shefave të misioneve diplomatike të caktuar nëpërmjet çelësit politik, e të cilët janë në një mandat të dytë i cili është i ndaluar ligjërisht, janë dërguar para më shumë se dy muajve tek presidenti”.

“Deri më sot, nuk është ndërmarrë asnjë veprim për trajtimin e këtyre propozimeve dhe kjo neglizhencë nga presidenti bën që të vazhdohet shkelja ligjore në këto raste”, është shprehur Ahmeti.

Sipas tij përveç mandatit të jashtëligjshëm, mosndërprerja e këtyre mandatave e mirëmban edhe një shkelje tjetër ligjore.

“Është fakti që rreth 75 për qind e shefave të misioneve janë të caktuar politikisht, përderisa ligjërisht nuk është e lejuar që politikisht të caktohen më shumë se 50 për qind”.

“Ne i bëjmë thirrje presidentit që të mos e pengojë kthimin e ligjshmërisë në Shërbimin e Jashtëm dhe të bashkëpunojë për ndërtimin e një përfaqësimi sa më profesional dhe dinjitoz të Republikës së Kosovës nëpërmjet misioneve të saj diplomatike. Gjithashtu, ne jemi duke shqyrtuar hapat ligjor të cilat do t’i ndërmarrim për ta tejkaluar këtë bllokim nga presidenti”, ka thënë Ahmeti.

Ambasadorët tërheqjen e të cilëve e kishte kërkuar Konjufca janë: Vlora Çitaku, Edon Cana, Lirim Grajçevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa dhe Ramadan Avdiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tashmë është zyrtare, aktori Scott Disick dhe modelja Sofia Richie…