Bordi i përkohshëm i drejtorëve të KEK-ut propozon testimin e të gjithë stafit
Bordi i përkohshëm i drejtorëve të KEK-ut në mbledhjen e mbajtur të radhës ka marrë një sërë vendimesh me rëndësi për korporatën.
Në funksion të menaxhimit të vazhdueshëm të pandemisë Covid-19, Bordi i përkohshëm i drejtorëve të KEK-ut ka udhëzuar menaxhmentin që të fillojë menjëherë procedurat e nevojshme ligjore dhe administrative për testimin e të gjithë stafit të korporatës me testim serologjik dhe për këtë ka ndarë edhe mjetet e nevojshme financiare.
Bordi i përkohshëm i drejtorëve të KEK-ut gjithashtu ka shqyrtuar dhe miratuar raportet e performancës gjashtëmujore dhe atë të pasqyrave financiare në korporatë deri më 30.06.2020.
Bordi ka kërkuar mobilizim shtesë të menaxhmentit në adresimin e gjetjeve të auditorit të jashtëm dhe atij të brendshëm, gjithnjë në funksion të përmirësimit të performancës operative e financiare dhe në instalimin e kontrolleve të mirëfillta të brendshme.
Në fund, Bordi i përkohshëm i drejtorëve të KEK-ut ka inkurajuar menaxhmentit që të vazhdojë përgatitjet për jetësimin e një studimi të mirëfilltë të fizibilitetit për Termocentralin Kosova A dhe hartimin e një strategjie zhvillimore të korporatës.
(A.M / Epoka e re)



