Bostoni mposhtet nga Orlando, dështon edhe San Antonio

22 janar 2018 | 19:09

Humbja e tretë radhazi e Bostonit ishte lajmi kryesor në kampionatin e NBA-s. Në “TD Garden”, skuadra kryesuese e Konferencës së Lindjes u mposht nga Orlando me rezultatin 95-103.

Për Celticsin nuk mjaftuan 40 pikët e Irvingut për ta evituar goditjen e radhës në ligën më madhështore të basketbollit në botë. Orlando, që e mbylli pjesën e parë të sfidës me disavantazhin e një pike, shpërtheu pas pushimit të saj, duke regjistruar në periodën e tretë rezultatin e pjesshëm 32-12. Bostoni u përpoq të reagonte në 12-minutëshin e fundit, por nuk ia doli dot duke u detyruar të dorëzohej përballë Magicit që është në vendin e parafundit në Konferencën e Lindjes.

Nuk bëri më mirë San Antonio Spursi. Skuadra teksane, pas humbjes me Toronton, pësoi një tjetër disfatë, këtë radhë ndaj Indiana Pacersit, me rezultatin 86-94. Për Indianën protagonistë u bënë Oladipo me 19 pikë, Collison me 15 pikë e Young me 14 pike, raporton “tch”. Indiana e vendosi ndeshjen në drejtimin e dëshiruar në periodën e tretë, sidomos atë të katërt, me këtë të fundit që e mbylli 25-16.

Për San Antonion u dallua Pau Gasol me 14 pikë e 9 topa në tabelë, ndërsa Parkeri e Forbesi shënuan nga 12 pikë secili. Në ndeshjet e tjera të NBA-s, Los Angeles Lakers mundi New York Knicksin 127-107, ndërsa Detroiti humbi ndaj Brooklyn Netsit 100-101.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka mbajtur mbledhjen…